zoom

Lajme

Jared Kushner e Ivnaka Trump, marrëdhëniet e çiftit me presidentin Trump, në pikën më të ulët

Vajza më e madhe e Donald Trump, Ivanka, iu bashkua babait të saj në skenën në Mar-a-Lago teksa ai shpalli fitoren këtë mëngjes – në atë që ishte shfaqja e saj e parë në fushatën zgjedhore.

42 -vjeçarja Ivanka ka luajtur një rol aktiv në fushatat e mëparshme të babait të saj, por ajo dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, u tërhoqën kur ai rikandidoi në këtë fushatë.

Arsyet mbeten të paqarta, por marrëdhëniet e tyre nuk janë më si më parë.

“Ne jemi duke e mbështetur atë – padyshim, ne jemi krenarë për të”, tha Kushner për Times pak kohë më parë. “Por, ju e dini, sido që të jetë, jeta jonë do të vazhdojë të ecë përpara”, duke shtuar kështu dyshimet se marrdhëniet e tij dhe të Ivankës me presidentin e ardhshëm amerikan janë ftohur.

Ndryshe nga vëllezërit e saj Eric dhe Donald Trump Jr, Ivanka Trump nuk mori pjesë në gjyqin penal të babait të saj në Manhattan në fillim të këtij viti, kur ai u dënua për 34 vepra penale.

Në nëntor 2022, zonja Trump lëshoi një deklaratë duke thënë se nuk do të përfshihej më në politikë. “Ndërsa gjithmonë do ta dua dhe do ta mbështes babanë tim, në vazhdim do ta bëj këtë jashtë arenës politike,” tha ajo.

Një nga paraqitjet e fundit të spikatura të zonjës Trump ishte në çështjen e mashtrimit civil të Trump nëntorin e kaluar, kur ajo dëshmoi se nuk ishte “në padijeni” për financat e babait të saj. Më vonë ajo nuk pranoi të intervistohej.

Jared Kushner, i cili gjithashtu shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë të Trump, u tha gazetarëve pak javë më parë se kishte “zero” mundësi që gruaja e tij t’i bashkohej fushatës teksa asaj po i vinte fundi.

Ai tha se zonja Trump “mori vendimin kur u largua nga Uashingtoni se po mbyllte atë kapitull të jetës së saj. Dhe ajo ka qenë jashtëzakonisht e vendosur.”

Vendimi erdhi pasi ajo luajti një rol kyç në administratën e parë të Trump dhe kur Trump nisi fushatën për të marrë për herë të dytë postin e Presidentit.

Ivanka Trump (far right) watches on as her father hails his election triumph

Ajo ka qenë prej kohësh e ndërlidhur me perandorinë e babait të saj. Pasi u rrit në Trump Tower, ajo punoi për të pas kolegjit dhe shpeshherë u ftua në shfaqjen e tij televizive “The Apprentice”.

Vëzhguesit e çiftit, me nofkën “Javanka”, thanë se tërheqja nga Uashingtoni u mundësoi Jared Kushner e Ivanka Trump të lulëzojnë financiarisht.

Disa nga marrëveshjet e zotit Kushner janë përballur me një shqyrtim intensiv nga Senati Amerikan, duke përfshirë një investim prej 2 miliardë dollarësh në firmën e tij private nga një fond investimi i kontrolluar nga qeveria saudite menjëherë pasi ai u largua nga Shtëpia e Bardhë. (LEXO KËTU NË ZOOM.AL HETIMIN E PLOTË TË SENATIT)

Investimi ka të bëjë me resortet luksoze turistike në Sazan e Zvërnec dhe me një hotel në qendër të Beogradit, në vend të të njëjtës ndërtesë të ish -ushtrisë Jugosllave të bombarduar nga NATO.

Në këtë fazë është e paqartë nëse zonja Trump u shfaq në skenë vetëm në cilësinë familjare apo nëse ajo dhe zoti Kushner do të ktheheshin në gjirin politik, – nënvizoi The Telegraph në një shkrim të posaçëm mbi marrëdhëniet e çiftit me presidentin Trump menjëherë pas fitores.

Presidenti Trump ka deklaruar se ai do t’i taksojë rëndë bizneset si ai i dhëndrit të tij në kompaninë Affitiny Partners, ndërsa nuk është e qartë nëse ai do t’i mbështesë projektet e fundit të çiftit, duke parë se demokratët në Kongres e Senat po bëjnë një investigim të thelluar, me dyshimin se investimet e çiftit Jared-Ivanka mund të ndikojnë politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi mund të përbëjnë konflikt interesi. /Zoom.al