Aplikacion
Ai i kaloi me lehtësi çështjet si arrestimi i Ilir Metës apo arrestimet për korrupsion brenda gardhit të Partisë Socialiste, duke hequr përgjegjësitë nga vetja. Por kur pyetjet kaluan te jeta luksoze e kryeministrit; bileta disa mijëra dollarë për të parë një ndeshje të NBA gjatë takimit me diasporën në Nju Jork; udhëtimet avionin charter luksoz, “Ismaili”; shtëpia me arkitekturë të pazakontë në Surrel që shtrihet në një sipërfaqe të konsiderueshme, atëherë shpërthimet qenë të papërmbajtshme, ndërsa kërcimet degë më degë dhe shpikje të natyrës “një rrugë e tre punë”, u bënë rrugëdalja e vetme.
Në Amerikë, në takimin me diasporën në Nju Jork, – tha Rama, – kishte vajtur me shpenzimet e veta, jo ato të kryeministrisë apo të Partisë Socialiste.
“Megjithatë, po ta mbyll tani, që udhëtimi im në Shtetet e Bashkuara qënka bërë… udhëtimin në Shtetet e Bashkuara a e kemi paguar familjarisht. Pse? Sepse shkova në Shtetet e Bashkuara për takimin me diasporën, kisha edhe një angazhim timin privat si artist në pjesëmarrjen në një ekspozitë atje të rëndësishme dhe pikërisht ishte kjo komponente nuk i thashë më jepni biletën nga buxheti i Partisë Socialiste, por e paguam vetë”, –u shpreh ai.
Por le t’i zbërthejmë me radhë 3 punët në 1 rrugë në Business Class të kryeministrit të Shqipërisë.
BILETA PËR NDESHJEN E NBA
Me një kapele në kokë, Edi Rama qe ulur në rreshtin e parë në sallën e Madison Square Garden ku po luhej ndeshja e basketbollit të NBA mes New York Knicks dhe Indiana Pacers. Belind Këlliçi publikoi disa të dhëna, sipas të cilave, vendet ku ishin ulur Rama me djalin e tij të vogël, kushtonin “nga 3600 deri në 7260 dollarë për person”.
Kur u pyet nga Fevziu, Rama nuk pranoi as të tregonte çmimin, pasi tha se e kishin ftuar disa miq të tij, por nuk tregoi as miqtë.
“Si ishte puna e asaj biletës së basketbollit (në SHBA)? Zoti Meta, për 15 mijë euro operacione në Vjenë është sot atje ku është. Ju uleni atje te ai stoli i basketbollit… Sa kushtonte bileta?” – e pyeti Feziu.
“Faleminderit që ma bëre këtë pyetje. Faleminderit. Nuk ka, as nuk blihet, as nuk shihet. Po pra, shko ta blesh, nuk e blen dot. Ato janë vende të rezervuara… Po ç’rëndësi ka kush ishin? Miq të mitë, që donin të më jepnin këtë kënaqësi. Dhe, është njësoj në Amerikë, kjo gjë është sikur të fton dikush në restorant. Thotë, shkojmë në restorant…” tha Rama.
Fevziu: Kush është personi që ju ka ftuar?
Rama: Është një mik pa asnjë lidhje me Shqipërinë dhe nuk kam arsye ta deklaroj sepse nuk është dhuratë.
UDHËTIMI ME AVION
Rama pranoi se kur udhëtonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përdorte bileta në Business Class, të cilat kanë çmime të kripura, për shkak se e kishte të pamundur fizikisht. Megjithatë ai nuk tregoi sa kishte paguar, nga xhepi i tij këtë herë.
Por kur u pyet për shpenzimet me avionin charter “Ismaili”, që e përdor si taksi në rajon e vende të tjera të botës, shpërtheu në akuza ndaj gazetarëve që kanë zbuluar skandalin e shpenzimeve marramendëse dhe opozitës që flet për mbi 22 milionë euro karburant, taksa aeroportuale e paga ekuipazhi.
Rama: Në atë avion unë hyj si kryeministër i Shqipërisë. Dhe të gjithë kryeministrat e rajonit kanë avionë.
Fevziu: Gjysmën e avionit tënd.
Rama: Po nuk ka rëndësi pra.
Fevziu: Po patjetër që ka, se avioni ka kosto.
Rama: Ti mendon se unë jam aq idiot sa të paguaj 20 mijë euro orën, siç thonë këta sharlatanë, këta palaço që kanë kaq kohë që i bien kësaj (fevziu: po përdorni një avion që e ka pasur Erdogani dhe Berlusconi), qoftë në kostumin e analistit, qoftë me kostumin e politikanit, këta lloj monstrash? Flas për palaço, palaço cirku, palaço të cirkut të natës, që i kanë mbushur kokën milteti, 20 mijë euro raaa, 100 mijë euro dita…
ANGAZHIMI PRIVAT SI ARTIST
Vetë kryeministri nuk e përmendi në intervistën afro 2 -rëshe te Fevziu se për ç’angazhim privat bëhej fjalë. Në fakt qe një ekspozitë. Por siç rezulton nga disa ndodhi të bëra publike, sa herë ka shkuar në Nju Jork, kryeministri ka pasur jo pak herë angazhime që i ka mbajtur sekrete, siç ishin takimet me agjentin e kompromentuar të FBI, Charles McGonigal. Ato nuk u deklaruan asnjëherë, derisa u zbuluan nga një hetim i FBI.
TAKIMI ME DIASPORËN
Takimi me diasporën qe ai që shqiptarët panë sa në ekranet e propagandës, me entuziazmin dhe flamujt kombëtarë që valëviteshin në një sallë të mbushur plot, sa në dritaret e rrjeteve sociale, me protesta jashtë e brenda sallës, me emigrantë që drejtuan gishtin drejt tij si autorin kryesor të shpopullimit të Shqipërisë dhe të korrupsionit galopant që ka mbërthyer vendin. Përsa i përket fjalimit, ai nuk pati asgjë më shumë sesa në takimet e tjera të këtij lloji, me shitjet pa doganë të ëndrrëave e dokrrave plot suksese personale dhe të qeverisë që drejton. /Zoom.al
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”