zoom

Aktualitet

Mbyllen hetimet për Berishën dhe dhëndrin e tij, thirren në SPAK të mërkurën

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Ish-kryeministri Sali Berisha së bashku më dhëndrin e tij dhe tre të tjerë janë thirrur të mërkurën në SPAK për të firmosur mbylljen e hetimeve.

Pesë të pandehurit, të cilëve iu komunikuan akuzat më 11 Shtator, janë ftuar të paraqiten në SPAK para se çështja t’i dërgohet Gjykatës së Posaçme për nisjen e shqyrtimit gjyqësor.

Së bashku me mbylljen e hetimeve, të pandehurit do të marrin edhe aktet përfundimtare në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj tyre nga struktura e posaçme.
Në 11 shtator, SPAK i komunikoi Berishës akuzën “Korrupsion pasiv”, ndërsa dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”.

Një ditë me vonë, në SPAK u thirr edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, të cilit iu komunikua akuza “Korrupsion aktiv” dhe “Pastrim parash”. Akuza e “Pastrimit të parave” iu komunikua edhe Xhimi Begese, ortak me Malltezin.

Në muajin Tetor 2023 SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin dhe mori nën akuzë ish-kryeministrin Sali Berisha me masën “detyrim paraqitjeje”. Për shkak të thyerjes së masës, më 30 Dhjetor 2023 GJKKO shtrëngoi masën ndaj Berishës, duke e izoluar me “arrest shtëpiak”.
Malltezit iu zbut masa disa ditë pas ndalimit, nga arrest në burg, në atë shtëpiak.

Berisha akuzohet se vuri gjithë aparatin shtetëror në shërbim të dhëndrit të tij, i cili përfitoi nga procedurat e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”, ku janë ndërtuar 19 kulla.