Aplikacion
Shitjet jashtë vendit prej një periudhe të zgjatur po vuajnë presionet të ndikuara nga nënçmimi i euros, rritja e kostove, sidomos atyre të punës si dhe konjukturën e pafavorshme ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të INSTAT, në Gusht 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke u ulur me -18,2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -32,5 %, në krahasim me Korrik 2024.
Ritmet e rënies janë përshpejtuar sërish në raport me korrikun kur tkurrja ishte 12% dhe qershorin, kur rënia ishte 8.9%. Në maj, tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%.
Gjatë muajit Gusht 2024, në uljen e eksporteve prej -18,2%, kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -10,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -3,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,8 pikë përqindje, etj.
Për tetëmujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 255 mld lekë, duke u ulur me -14,9%.
Për 8 mujorin, Grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -6,4 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -5,1 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,6 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me +0,1 pikë përqindje, etj.
Tekstilet dhe këpucët në vështirësi
Në gusht, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend ranë me 17.2%. Për 8 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 70 miliardë lekë, me një tkurrje prej 17.8% me bazë vjetore.
Industria po vijon të vuajë pasojat e shumë faktorëve si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë. Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve. Eksportuesit janë të shqetësuar se kjo situatë po bëhet kronike dhe kanë pa shpresa për rikuperimin e aktivitetit si për rrjehdojë të uljes së aftësive konkurruese ashtu dhe kërkesës së dobët për veshje e këpucë në tregjet ndërkombëtare.
Minerale, lëndë djegëse bien ndjeshëm
“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i parë më i madh në vend në gusht. Eksportet e këtij grupi ranë me 31.5% në gusht, me bazë vjetore. Ky grup ndikohet nga ecuria e Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Për 8 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 50 miliardë lekë, me tkurrje 27.6%.
Materiale ndërtimi dhe metale i rikthehen rënies
“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i tretë më të madh në vend për 8 mujorin. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në gusht ky grup iu rikthye rënies me 16%, pasi ishte rritur me 21.3%. në korrik. Për 8 mujorin, sektori është me një rënie prej 9.2%. Në gusht Kurum njoftoi se kishte ndërprerë aktivitetin për shkak të konjukturës së pafavorshme të çmimeve.
Tkurrja ngadalësohet për Ushqime pije e duhan nga rënia e çmimeve
“Ushqime pije e duhan”, ka vijuar me tendencën negative në gusht, ndonëse ritmet e rënies janë ngadalësuar. Shitjet në gusht u tkurrën me 2.3%, nga 5.6% në korrik dhe 32% në qershor. Për 8 mujorin, ky grup ka rënë me 8.8%.
Eksportuesit pohojnë se tkurrja lidhet kryesisht me rënien e çmimeve për shkak të mbiprodhimit, ndërsa sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta. Këtë vit ka pasur superprodhim në të gjithë Mesdheun, të nxitura nga çmimet e larta dhe moti i favorshëm, duke bërë që të ketë ofertë të lartë në Europë.
Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro
“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në gusht eksportet ranë me 1.3%, ndërsa për 8 mujorin tkurrja është 7.1%.
Thellohet deficiti tregtar
Në Gusht 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 22 mld lekë, duke ulur me -18,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -32,5 %, në krahasim me Korrik 2024.
Importet e mallrave arritën vlerën 69 mld lekë, duke u rritur me 1,9 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me -19,4 %, në krahasim me Korrik 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 46 mld lekë, duke u rritur me 15,6 %, krahasuar me Gusht 2023 dhe duke u ulur me -11,0 %, në krahasim me Korrik 2024.
Në këtë tetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 255 mld lekë, duke u ulur me -14,9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 595 mld lekë, duke u rritur me 3,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 340 mld lekë, duke u rritur me 22,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.
Eksportet bien me Italinë e Greqinë
Në muajin Gusht 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Gusht 2023 janë: Italia (1,5%), Kosova (17,4%), Greqia (43,4%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Gjermania (34,2%), Kina (46,3%), Turqia (37,8%), etj.
Gjatë këtij tetëmujori vendi me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, është: Italia (13,2%), Kosova (2,3%), Greqia (24,1%), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kina (28,6%), SHBA (0,8%), etj.
Në muajin Gusht 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (2,8%), Kina (13,0%), Turqia (22,1%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (6,5%), Spanja (40,7%), Maqedonia e Veriut (28,6%), etj.
Gjatë këtij tetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (17,6%), Greqia (19,4%), Gjermania (4,5%), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (2,4%), Kina (1,6%), Spanja (3,5%), etj. /Monitor