zoom

Lajme

Fevziu zbulon prapaskenat: Albin Kurti s’ua ngre telefonin Ramës e Begajt

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk kanë qenë kurrë në pikën më të ulëet se sa sot.
Dy kryeministrat Rama e Kurti nuk janë kujdesur as ta fshehin e as ta mohojnë një revalitet që ekziston për të dominuar hapësirën shqiptare në rajon.

Por ajo që duket se i çoi marrëdhëniet në pikën e ngrirjes ishin “ngatërresat” e Ramës në çështje që i takojnë ekskluzivisht Kosovës, si Asociacioni i Komunave Serbe apo anashkalimi i Prishtinës në projektin e dështuar të “Open Balkan”.

Gazetari Blendi Fevziu e pranon ekzistencën e rivalitetit në këtë mënyrë.

Deri tani primatin e shqiptarëve në rajon e ka pasur kryesisht Shqipëria. Edhe Hashim Thaçi, edhe Ibrahim Rugova, nuk kanë pretenduar me ndiku në Shqipëri. Kanë pretendu me pasë aleatë të Shqipërisë në zonat e tyre, por gjithmonë ruanin një hierarki. Kurti erdhi me ambicie shumë më të mëdha për të marrë një lloj patriarku të gjithë shqiptarëve. Që do të thotë edhe në Maqedoni siç ndërhyri, edhe në Mal të Zi, prej nga vjen, edhe në Shqipëri ku tentoi me Vetëvendosjen. Albin Kurti është i pari politikan i Kosovës që tenton të drejtojë pak më gjerë.” – thotë Fevziu në një intervistë për gazetën Nacionale.

Në këtë mënyrë, sipas Fevziut, Albin Kurti “i ka hyrë në pjesë” Edi Ramës.
“Këtu pastaj hy në territorin e Ramës, jo se drejtuesit e tjerë nuk e kanë pasur. Berisha e ka pasur këtë, edhe Fatos Nano në momente të caktuara ka tentuar, por Fatos Nano kishte vështirësi në Kosovë, ku kishte më shumë paragjykime. Shpeshherë ju them që raportet Shqipër – Kosovë janë më të këqijat që kanë pasur ndonjëherë në historinë që mbaj mend unë. S’ka, janë inekzistente”.

Për të përforcuar faktin se marrëdhëniet Tiranë – Prishtinë janë në pikën më të ulët, Fevziu tregon një detaj interesant.

“E pyeta kryeministrin, pyeta presidentin kur ndodhi historia e Banjskës, “a keni folur me Kurtin?” Të dy më thanë “nuk na ngre telefonin”…Që nga momenti që Kosova dhe Shqipëria nuk kanë kontakt, lërë kontakt zyrtar, kështu miqësor, buzëqeshje, dorë të hedhur në qafë, Rama që i kap sytë nga prapa. Këto janë shou mediatik. Ne po flasim për kontakte reale. Unë jam dëshmitar se si ka funksionuar raporti mes Shqipërisë dhe Kosovës, edhe në momente të tensionuara,” – thotë Fevziu.

E quan një betejë pa sens dhe pa fitues, por pyetjes se “kush do të fitonte në një përplasje politike mes Kurtit e Ramës, i përgjigjet në këtë mënyrë:
“Kjo është si të përcaktosh kush fiton Luftën e Tretë Botërore”. /Zoom.al