Aplikacion
Dëshmia e të birit ka zbardhur lëvizjet e Erjon Goxharës, i cili ka arritur që në zonën e Thesarit të Shtetit në Dajt, t’u largohet dy policëve civilë.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve, djali ka thënë se rreth orës 14:35 të 19 gushtit, pra pak pas plagosjes, ka marrë një telefonatë nga i ati, i cili i ka treguar se ka plagosur Lorenc Kostën. Të birit i ka kërkuar që të takohen te rrethi i Shkozës. Aty efektivi Goxhara ka mbërritur në këmbë, kanë marrë një taksi dhe janë nisur për në zonën e Freskut.
Sipas dëshmisë së djalit, sapo kanë mbërritur në zonën e Thesarit të Shtetit, kanë zbritur nga taksia dhe efektivi i ka thënë të birit ta ndiqte. Por në këtë moment, janë afruar dy punonjës policie civilë, të cilët e kanë thirrur në emër efektivin Goxhara, por ky i fundit sipas dëshmisë së djalit, është larguar me vrap nëpër pallate duke thënë “më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”.
“Rreth orës 14:35 më ka marrë në telefon babai im dhe më ka thënë se kishte plagosur Lorencin me armë. Unë e kam pyetur i revoltuar se përse e bëri. Pas kësaj telefonate më ka marrë sërish dhe më ka thënë që të dilja te rrethi i Shkozës pasi do të shkonim në zonën e Freskut. Unë kam dalë në vendin ku më tha ta prisja. Pasi babi ka ardhur te rrethi i Shkozës në këmbë, ne kemi marrë një taksi dhe jemi nisur për në zonën e Freskut.
Sapo kemi mbërritur te zona e Thesarit të Shtetit, kemi zbritur të dy nga taksia dhe shoferit të taksisë i tha të priste kurse mua më tha që ta ndiqja.
Menjëherë në këtë moment sapo kemi zbritur na janë afruar 2 punonjës policie të veshur civil të cilët e kanë thirrur në emër babain tim dhe ai sapo i pa u largua me vrap mes pallateve duke u thënë këtyre personave që më mirë vras veten sesa të kalbem në burg”, ka thënë djali, dëshmi e siguruar nga Tv Klan./ Zoom.al