zoom

Aktualitet

Unioni i Gazetarëve i përgjigjet Ramës e Rrumbullakut: Po na intimidoni

Pas një sërë deklaratash nga Policia e Shtetit, Kryeministri i vendit, Prokuroria dhe Gjykata e Korçës, për ngjarjen e Pogradecit ku mbeti i vdekur Egli Proga ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Përmes një postimi në rrejtetet sociale, UGSH ka shprehur pakënaqësinë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamed Rrumbullaku dhe kryeministrit Edi Rama të cilët akuzuan median për keqinformim të publikut.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit zoti Muhamet Rrumbullaku, atakoi të drejtën e reporterëve për të pasur burime të tyre informuese dhe për të ndjekur parimin e kryqëzimit të të dhënave për të vërtetën në shërbim të publikut, duke u vetëofruar si burim të besueshëm vetëm burimin e tij zyrtar. Ndërkohë që titullari i Policisë së Shtetit deklaroi sfidueshëm se do të nisen hetime për gazetarët që ” baltosin” policinë. Madje zoti Rrumbullaku pranoi para gazetarëve se ka dhënë urdhër që për rastin e Pogradecit: “Drejtoria e marrëdhënieve me median në policinë e shtetit dhe departamentet respektive që merren me ndjekjen penale po hulumtojnë rrjetet sociale dhe po përgatisin kallëzimin penal në lidhje me çdo individ dhe çdo rrjet social në raport me këtë disinformim të qëllimtë” . Këtij urdhri i është bashkuar me mbëshetje edhe Kryeministri Edi Rama, me thirrjen,…”për të luftuar dizinformimin dhe keqinformimin e qëllimshëm të publikut…”– thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Unionit të Gazetarëve shqiptarë.