Aplikacion
Muajin e kaluar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, thirri zgjedhje të reja në Himarë, pasi Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ia hoqi Alfred Belerit mandatin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, menjëherë pasi Gjykata e Apelit e mbajti në fuqi dënimin e tij me burgim.
Tani, qytetarët e bashkisë jugore të Shqipërisë do të votojnë për të zgjedhur mes Vangjel Tavos nga Partia Socialist në pushtet, dhe shqiptaro-amerikanit, Petro Gjikuria, nga opozita.
Vangjel Tavo dha dorëheqjen si prefekt i qarkut të Vlorës për të garuar për bashkinë e Himarës. Ai ka qenë më herët deputet i partisë së Ilir Metës dhe ka mbajtur edhe postin e ministrit të Shëndetësisë.
Petro Gjikuria është shtetas shqiptaro-amerikan. Ai prej disa vitesh ka jetuar në Uashington dhe është pjesë e të ashtuquajturës “Federata Panepirote e Amerikës”. Ai ka qenë një ndër mbështetësit e Alfred Belerit, që ndodhet në burg i dënuar për korrupsion zgjedhor, së fundmi i zgjedhur eurodeputet në Greqi.
Gjikuria u propozua nga shoqata e pakicës greke në Shqipëri “Omonia” dhe partia që përfaqëson këtë minoritet, Partia për të Drejtat e Njeriut. Propozimi i tyre u mbështet nga partitë opozitare.
Votimi nisi në orën 7:00 dhe do të përfundojnë në orën 19:00 në 36 qendra votimi. Numri i qytetarëve me të drejtë vote është 23.000.
Policia tha se i ka marrë masat për të siguruar mbarëvajtjen e procesit dhe bëri thirrje që “e drejta kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesit të pushtetit lokal të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt”.
Për të ndjekur procesin në Himarë kanë mbërritur edhe një numër i madh gazetarësh grekë.
Zgjedhjet e 4 gushtit pritet t’i japin zgjidhje një situate të paprecedentë, që zgjat prej thuajse 15 muajsh.
Dy ditë para zgjedhjeve vendore të vitit 2023, kandidati i opozitës Alfred Beleri u arrestua nën dyshimet për blerje vote. Edhe pse ndodhej në paraburgim, ai fitoi garën kundër Jorgo Goronit, kryetarin në detyrë, nga Partia Socialiste.
Pjesëmarrja në votime ishte e ulët, megjithatë Beleri arriti të fitonte me vetëm 19 vota dallim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha mandatin si kryetar bashkie të Himarës edhe pse ndodhej Beleri ndodhej në paraburgim në pritje të gjyqit.
Beleri nuk u betua asnjëherë si kryetar bashkie. Kërkesat e tij për të kryer betimin, ndërsa vijonin hetimet, u refuzuan nga drejtësia shqiptare. Në këto kushte bashkia e Himarës u drejtua nga kryetari në detyrë Jorgo Goro, edhe pse i kishte humbu zgjedhjet.
Më 23 mars të këtij viti, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, Goro u arrestua nën dyshimet për korrupsion. Denoncimi ndaj tij ishte bërë disa kohë më parë nga Alfred Beleri dhe kishte të bënte me pretendimet se ka firmosur dokumente të falsifikuara për të tjetërsuar dy prona në bregdet.
Me dy kryebashkiakë në paraburgim, drejtimi i bashkisë së Himarës i kaloi nënkryetares Blerina Bala. Emërimi i saj më 29 mars të këtij viti, u shoqërua me tensione të forta në Këshillin Bashkiak, ndërsa mbështetësit e Fredi Belerit debatuan edhe me Vangjel Tavon, në atë kohë prefekt i Qarkut Vlorë. Brenda pak javësh Blerina Bala dha dorëheqjen “për arsye familjare”. Në krye të bashkisë së Himarës u komandua, nënkryetari tjetër Arqile Bollano.
Më 25 qershor, gjykata e Posaçme e Apelit dënoi Alfred Belerin me dy vjet burgim për vjedhje votash. Me këtë vendim, sipas ligjit të dekriminalizimit, Beleri nuk mund të ushtronte detyrën e funksionarit publik.
Organizata e të rinjve të Partisë Socialiste në Himarë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke kërkuar të shpallte të pavlefshëm mandatin e Belerit. Më 5 korrik komisionari Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, dha vendimin që shpallte të pavlefshëm mandatin e Alfred Belerit.
Më pas Kryeministria njoftoi Presidencën për vakancën dhe kreu i shtetit, Bajram Begaj shpalli 4 gushtin si datën e zgjedhjeve për kryetarin e bashkisë së Himarës.
Rasti i Beleriit nxiti kritika të mëdha në Athinë, ku Ministria e Jashtme tha se “dënimi dyvjeçar është padyshim joproporcional me masën e veprës së supozuar”.
Partia e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, e emëroi pastaj kandidat për zgjedhjet për Parlamentin Evropian, të cilat u mbajtën nga data 6 deri më 9 qershor, ku ai u zgjodh.
Muajin e kaluar, autoritetet shqiptare i dhanë leje Belerit të shkojë në Strasburg për ta bërë betimin si deputet i Parlamentit Evropian. Ai u kthye në Fier për ta vuajtur dënimin me burgim..REL
Perëndimi ngre alarmin/ Rusia do të vendosë lëndë shpërthyese në avionët e pasagjerëve