Aplikacion
Duke e quajtur një “turp” dhe një “plagë” portin aktual në qytetin e Durrësit, kryeministri Edi Rama, tha se porti i ri në Porto Romano, do ta bëjë Shqipërinë pikë strategjike për sigurinë dhe ekonominë e vendit.
Rama tha se më në fund, bashkë me projekte të tjera, Durrësit do t’i rikthehet rëndësia që ka pasur në kohë më të lashta.
“Ky është një moment tjetër kuptimplotë. Projektet e mëdha nisin kur fillon i gjithë procesi në tryezë e jo kur hapen thirrjet si kjo sot. Shqiptarët dëgjojnë e presin. Durimi nuk është virtyt i shqiptarëve, por është e kuptueshme. Shqiptarët kanë pritur shekuj.
Porti i Durrësit në mes të qytetit është një plagë fizike nga ana imazhit dhe nga ana socio ekonomike. ka qenë zonë e veprimtarive të paligjshme dhe kriminale. Largimi nga qendra dhe vendosja këtu, me tipologji e përmasa të reja është hapja e një kapitulli të ri. Ndër kompanitë e interesuara kemi 5 më të mëdhatë në botë. Porti i Porto Romanos impakton 3% të PBB-së. Porti aktual ka një impakt qesharak. Porto Romano impakton sigurinë tonë. Porti do të ketë krahun e vet ushtarak. Porti më i ri në Europë prej shumë dekadash, që ndërtohet nga fillimi”, tha kryeministri.
Ai i dha dhe një “këshillë”, hungarezëve të Royal Haskoning, kompania konsulentë për portin, duke i thënë se në Shqipëri duhet të bëjnë “delfinin e jo peshkaqenin” dhe se “peshkaqenin mund t’a bëjnë në një vend tjetër të Europës”.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi se ky investim do të sjellë mundësi të reja punësimi me rroga dinjitoze dhe iu bëri thirrje emigrantëve në Greqi e jo vetëm, që të rikthehen në Shqipëri e të punojnë në këtë port, pasi do të kenë të ardhura më të larta se në vendin ku ndodhen.
“Porti do të sjellë punësim dhe punësim cilësor të mirëpaguar, nuk diskutohet dhe porti është një tjetër argument e arsye që të shkojmë më shpejt përpara me reformën e re që ne po bëjmë për arsim profesional e për t’i thënë shqiptarëve që punojnë në Greqi aktualisht, po marr Greqinë që e kemi fqinj më të afërt por është edhe referenca më kuptimplotë se ndërkohë që rrijnë atje pastrojnë hotele, lajnë pjata, bëjnë shërbime si kamarierë, kuzhinierë dhe janë të përfshirë në gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me turizmin, të vijnë këtu pa humbur kohë se në mënyrë absolute, me laps e letër, iu ngelet më shumë këtu se andej”, deklaroi Rama.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku tha se porti nuk është i Durrësit, por i shqiptarëve, pasi do t’i shërbejë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Balluku tha se në fund të këtij viti dorëzohen 3 projekte tjera me rëndësi si aeroporti i Vlorës, Unaza e Madhe e Tiranës dhe tuenli i Murrizit.
“Ka qenë një vit i shkëlqyer ku janë realizuar projekte historike. Tuneli i Llogarasë, premtim i çdo qeveri, sot shqiptarët po e prekin. Aksi Thumanë-Kashar dhe do të ndërtohen segmente që do të lidhin Shqipërinë më Malin e Zi dhe Greqinë. Sot çelja e garës për Porto Romanon është ndër momentet më të veçanta që shënjon rrugëtimin e qeverisë Rama 2030. Me NATO-n kemi nisur të financojmë hapësirën ushtarake në Porto Romano. Duam të ndërtojmë një port dyfish më të thellë, për t’i shërbyer të gjithë rajonit, duam të ndërtojmë një terminal kontejnerësh tre fish më të madh, sipërfaqe të dedikuara për entet ligjzbatuese, në infrastrukturë detare që hedh bazat për një zhvillim të mëtejshëm, duam të ngremë një insfrastrukturë për bazën detare. Durrësi dhe Porto Romano janë anët e së njëjtës medalje.
Nëse dikur na paragjykonin, flitej për 3D, por ka ca muaj që nuk e dëgjojmë më. Në kushtet kur një investim i këtyre përmasave është risi, nevojitet një ekspertizë ndërkombëtare në procesin e tenderimit, ndaj kemi vendosur të kemi në krah konsulentët e Royal Haskoning”,përfundoi zv.kryeministrja.
Kreu i Autoritetit Portual të Durrësit që pret të dekretohet si ministër i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, tha se Shqipërisë i duhet të “forcojë” zinxhirët në një kohë të turbullt.
“Ndërtimi i një porti nuk është thjesht çështje ekonomike, është çështje shtetndërtuese. Na takon të ecim në shtratin e ambicieve të vjetra, teksa vendi ka marrë një hov të ri dhe të pashmangshëm nëse duhet të sigurojmë zinxhirët e vendit në një kohë të turbullt.
Kjo garë vjen si një produkt i një vendimmarrjeje të lirë. Mirënjohje për mundësitë që më dhatë ta përjetoja këtë rrugëtim”.
Përfaqësuesi i Royal Haskoning, konsulenti i qeverisë për projektin e Porto Romanos, Eric Smith tha se tenderi do të hapet sot dhe zgjat 45 ditë. Ai theksoi se 100% e projektit do të financohet nga qeveria shqiptare dhe për shkak të lëvizjes së kursit të këmbimit fondi limit është 392 mln euro nga 390.
Smith theksoi se teknikisht projekti është tepër sfidues pasi zona e Porto Romanos është me aktivitet sizmik të lartë.
Rudina Dembacaj flet mes lotësh për divorcin: Gjykata është shumë e njohur për time bijë