Aplikacion
Si për të treguar që është i paparashikueshëm ai largoi 3 ministra në 2 dikasteret më të rëndësishme që ka qeveria e tij.
Taulant Balla, Niko Peleshi e Ervin Mete ikën nga Ministria e Brendshme, e Mbrojtjes dhe e Financave. Në vend të tyre, 3 emra pak të njohur. Ervin Hoxha, nga vartës i Ballës si kreu i IKMT i zë vendin si ministër i Brendshëm. Pirro Vengu, nga Drejtor i Portit të Durrësit bëhet ministër i Mbrojtjes. Petrit Malaj, nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) bëhet ministër i Financave.
Por kush janë ministrat e rinj? Më shumë sesa për CV-në e tyre, pyetjet mëtojnë të dijnë se çfarë përfaqësojnë ata, kush i ka mbështetur në detyrat e mëparshme dhe kush fshihet pas katapultimit të tyre në qeveri.
Dy nga ministrat e rinj janë vartës direkt të Belinda Ballukut. Pirro Vengu është prej vitit 2019 drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit, në vartësi të drejpërdrejtë të Ballukut.
Edhe Petrit Malaj, si drejtor i AKBN është në vartësi direkte të Ballukut.
Jo më pak lidhje ka edhe Ervin Hoxha. Edhe pse prej vitesh në vartësi të Ministrisë së Brendshme, së fundi të Ballës, ai konsiderohet si njeri i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, me të cilën ka bashkëpunuar edhe në fushata zgjedhore.
Suprizë nuk ishin vetëm emërimet, por edhe largimet, veçanërisht ai i Taulant Ballës. Ish -kryetari i grupit parlamentar dhe një prej deputetëve më të vjetër të PS, shihej prej kohësh si pjesë e grupit të Erion Veliajt, kryebashkiakut të Tiranës, mes të cilit dhe Belinda Ballukut përflitet prej kohësh se ekziston një përplasje e madhe.
Edhe Ervin Mete, që largohet nga Financat, konsiderohej si njeri i Veliajt, me të cilin i ka mbajtur lidhjet që prej bashkëpunimit në organizatën Mjaft.
A qenë ndryshimet në qeveri nevojë elektorale apo hapja e kapitullit më interesant në luftën Balluku – Veliaj, dy trashëgimtarëve më të përfolur të pushtetit në PS?
Me Ballukun që “merr nën kontroll” tre dikastere të fuqishëm, përvese do të vazhdojë të mbajë postin e numrit dy në qeveri dhe ministrinë e saj, dhe me Veliajn që, teksa po mbyll karrierën në bashki, po sheh të goditet sa nga SPAK që po i çmonton rrjetin e drejtorëve të korruptuar, aq edhe nga brenda partisë, ku po i fshijnë besnikët nga qeveria e partia, beteja duket e fituar ende pa nisur.
Por ashtu siç ka ndodhur çdo herë në dy dakadat e fundit në PS, fituesin në këtë parti e përcakton gjithnjë Rama. /Zoom.al
Rudina Dembacaj flet mes lotësh për divorcin: Gjykata është shumë e njohur për time bijë