zoom

Lajme

Çuçi sfidon Kushtetuesen për Xhaçkën: S’mund të imponojë deputetët se si të votojnë! Zgjedhorja…

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, doli sot në një deklaratë për shtyp, ku foli mes të tjerash edhe në lidhje me mandatin e koleges Olta Xhaçka dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai u shpreh se Kushtetuesja nuk mund t’i imponojë deputetët se si të votojnë, ndërsa shtoi se GJK tentoi të krijojë një normë të re.

“Çështja e raportit të Parlamentit me GJK mendoj se është raport që e përcakton qartë Kushtetuta. GJK ka autoritetin të shfuqizojë çdo ligj, vendi, akt të marrë nga Kuvendi nëse e gjykon që është në kundërshtim me Kushtetutën. Ka pasur një vendim të GJK që ka shfuqizuar 2 vendime të Kuvendit dhe Kuvendi pa dyshim nuk e diskuton vendimin por i shfuqizoi.

Në rastin konkret ka një paqartësi mbi faktin nëse duhet që një deputet apo të gjithë duhet të votojnë në një formë të caktuar të detyruar nga një vendim jo nga ajo çfarë mendojnë. Ky është një debat që nuk ka gjetur zgjidhje as me vendimin e GJK. Përkundrazi GJK në gjykimin tonë ka tentuar të krijojë një normë të re ligjore, që nuk ia lejon Kushtetuta.

Thjeshtë duhet të gjykojë normat ekzistuese. Deputetët kanë të drejtë të votojnë siç mendojnë. Ia njeh Kushtetuta. Madje deputeti nuk mban as përgjegjësi për votën e tij E parashikon neni 73. Kemi menduar t’i kërkojmë Komisionit të Venecias një mendim përfundimtar për të zgjidhur ngërçin”, tha ai.

Kreu i grupit parlamentar të PS, u ndal edhe te reforma zgjedhore. Ai tha para gazetarëve se po gjendet një formulë për llogaritjen e mandatit të deputetit.

Po ashtu ai u ndal dhe te amnistia penale, i cili tha se kjo çështje u votua me konsensus të gjerë. Ai tha se pas kthimit në normalitet nga opozita, ishte një sesion i frytshëm. “Po punohet ende për rishikimin e kodit zgjedhor. Po diskutohet formula e llogaritjes se mandateve”, tha Çuçi. /ZOOM.AL/