Aplikacion
Të dhënat e ketij viti nuk janë ato që priten dhe ky është një fakt që duhet jo vetëm ta shqetësojë kreun e një qeverie, por edhe ta alarmojë atë dhe gjithë aparatin shtetëror që menaxhon turizmin dhe ekonominë.
Nga 15 milionë turistë që kishte parashikuar, Shqipëria, me këtë ritëm, rrezikon të mos arrijë as 10 milionët që numëroi qeveria një vit më parë.
E mesa duket, kryeministri ka nisur të gjejë justifikimin.
Sepse ai nuk e sheh dështimin te çmimet e larta, te zaptimi i çdo cepi të bregdetit nga privatët që vetëm i rrisin çmimet, te mungesa e shërbimit, te zhurmat e lokaleve të natës që, me lejen e tij, zhurmojnë papushim dhe shqetesojne pushuesit duke i lënë për netë me radhë pa gjumë, te infrastruktura e pamjaftueshme, te mbipopullimi nga turizmi masiv që çdo plazh, sado të bukur, e shndërron në një shesh mitingjesh ku s’ke ku të vësh këmbën, te gënjeshtrat e sponsorizuara se “Shqipëria është si Maldivet” apo se ne kemi aftësinë për të konkurruar me vendet fqinje si Greqia apo Kroacia.
Por shkak për këtë dështim të pritshëm, sipas kryeministrit, vijnë nga një grup armiqësor, që vepron brenda e jashtë vendit.
“Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Sulm i organizuar që vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe për këtë, të sigurisë kibernetike. Shumë profile falso që përdoren për të sulmuar” – tha ai në një takim me kryetarët e Bashkive.
Pra, sipas kryeministrit, postimet në rrjetet sociale që tregojnë gjëra që nuk funksionojnë në Shqipëri, bëhen qëllimisht dhe nëmënyrë të organizuar për të dëmtuar turizmin dhe jo thjesht për të treguar të vërtetën.
E thënë thjesht, kushdo qytetar i Shqipërisë që vjen me pushime dhe poston në rrjetet sociale kritika që nisin nga aeroporti i Tiranës e vijojnë me papastërtinë e rrugëve e plazheve, çmimet, sjelljen e personelit të shërbimit apo të policisë kur e thërrasin për të mbyllur lokalet që bëjnë muzikë pas mesnate në kundështim me ligjin, e bën këtë posaçërisht për të dëmtuar “Shqipërinë Turistike” dhe jo për të thënë një të vërtetë. Dhe me shumë mundësi, sipas logjikës së kryeministrit, ky lloj pushuesi duhet të jetë pjesë e një grupi të organizuar që ka qëllime armiqësore dhe jo një qytetar i përgjegjshëm që u bie këmbanave të alarmit për të paralajmëruar se në këtë formë nuk bëhet turizmë.
Kështu, edhe ata pak turistë të huaj që besojnë ende fabula e “Maldiveve të Europës”, nëse vijnë këtu dhe gjejnë ujëra te zeza që derdhen në det dhe i postojnë në Facebook, Instagram e TikTok, nëse ulen në plazhe ku pronarët e lokaleve e hoteleve i ngrenë me dhunë nga rëra nëse nuk paguajnë çadrat me çmime të kripura, nëse ulen në lokale-kioska, por paguajnë fatura si në Dubai, nëse denoncojnë faktin se ka trafik në çdo rrugë, se piratët e rrugëve dhe kush të mundet vazhdojnë t’i ngasin makinat sit ë çmendur, janë të gjithë persona që dëmtojnë turizmin.
Pra, këta duhet të heshtin dhe të binden për çdo gjë që shohin se nuk është normale.
Dhe Rama ka kohë që po e përgatit fabulën e dështimit. Ai ka ndërsyer “opinionistë” për të sulmuar shqiptarët e Kosovës që me liberalizimin e vizave kanë zgjdhur të pushojnë në Greqi, Kroaci etj apo ata persona apo media që e kanë konstatuar këtë fakt.
Me këtë logjikë u pyet edhe shefi i SPAK, Altin Dumanin, në parlament nga socialistët, nëse kishte nisur ndonjë hetim për “sabotim të turizmit nga jashtë, nga shërbime të huaja”.
Kryeministri i Shqipërisë ia ka arritur gjatë këtyre viteve në pushtet që t’ua mbyllë gojën mediave për çështje sensitive, si PPP-të dhe koncesionet korruptive apo afera të tjera që kanë përfshirë qeverinë e tij.
Nën këtë logjikë mesa duket ai po përpiqet t’u mbyllë gojën edhe atyre që kritikojnë atë çfarë nuk shkon me turizmin dhe ata që e kanë paralajmëruar me kohë se turizmi masiv është shkatërrim dhe jo perspektivë. /Zoom.al