zoom

Politikë

Ministja Denaj hedh poshtë fjalët e Ramës: Patjetër që do ta paguajmë dëmshpërblimin ndaj Francesco Becchettit

Ministrja e Financave Anila Denaj e ka pranuar që Shqipëria do ta paguajë dëmshpërblimin prej 110 milionë euro, ndaj sipërmarrësit italian Francesco Becchetti, kur gjykata të japë vendimin e formës së prerë.

Ajo tha se qeveria shqiptare po pret përgjigje nga Avokatura e Shtetit, por në rast se vjen përgjigja e vendimit të formës së prerë, atëherë shuma prej 110 milionë eurosh, do të hiqet nga një process tjetër për t’ia dhënë Becchettit.

“Ne patjetër që do ta paguajmë. Hyn edhe në negociata. Po në rastin e Becchettit, ne jemi në pritje të përgjigjes nga Avokatura e Shtetit. Ne nuk mundemi dhe juridikisht të buxhetojmë procesin nqs Avokatura e Shtetit nuk thotë tani ky vendim duhet zbatuar. Ka procese dhe ka kontrata që nëse do të negocioheshin në kohë mund të kishin kompensuar dhe dëmin e fitimit të gjyqit. Dhe sa më shumë ta lëmë në kohë, jemi duke shtyrë një proces që nuk është në të mirë të shqiptarëve. Nuk po flas për rastin konkret këtu. Por në momentin që procedurat finalizohen atëherë janë detyruese për buxhetin e shtetit. Dhe ata kanë vëmendjen për t’u paguar proporcionalisht sipas fondeve. Nëse vjen e formës së prerë do të duhet të hiqet një fond nga një proces tjetër”, u shpreh Denaj në RTSH.

Një deklaratë e tillë vjen si kundërshtim i asaj çka deklaroi kryeministri i vendit në emisionin “Opinion”, sipas të cilit shteti shqiptar do t’i paguajë zero para.

Edi Rama: Shteti shqiptar do t’i paguajë zero, po zero.

Blendi Fevziu: Si zero, ka rregulla ndërkombëtare që të detyrojnë të paguash.

Edi Rama: S’ta them sot si, s’ta them dot, por dëgjoni dhe mbani mend fjalën time. Shteti shqiptar do t’i paguajë zero lekë atij dhe ai do t’i japë par shteti shqiptar. Është strategji, stretegji. Dhe nuk është strategjia im, është strategjia e atyre që merren me atë punë.