zoom

Lajme

Himara në zgjedhje më 4 gusht – Bardhi sulmon Begajn: Çfarë turpi, ke shkelur Kushtetutën

Presidenti Bajram Begaj u akuzua nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi se ka shkelur Kushtetutën, pas vendimit për të shpallur zgjedhje të reja në Bashkinë e Himarës.

Begaj dekretoi këtë të premte datën 4 gusht për të zgjedhur një emër të ri që do të drejtojë Bashkinë e Himarës, pasi KQZ i hoqi mandatin Fredi Belerit për shkak të dënimit që rëndon mbi të.

Por sipas Bardhit, Presidenti duhet të kishte pritur të gjithë procedurën, përfshirë edhe afatin e ankimimit ndaj vendimit të KQZ, për të shpallur zgjedhjet.

“Çfarë turpi për Pesidentin e Republikës që shkel hapur Kushtetutën dhe ligjin duke dekretuar zgjedhje pa një vendim të ekzekutueshëm ende për pavlefshmëri të mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.

Teatri i sotëm i koordinuar mes Edi Ramës dhe një gjenerali të bërë ushtar, është një atentat ndaj shtetit ligjor, që tregon asgjesimin politik të institucionit të Presidentit të Republikës. Vendimi i sotëm i KQZ nuk është ende i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit”, tha Bardhi.