zoom

Kosova

Çfarë po kurdis Vuçiç? Presidenti serb viziton Moskën dhe takohet me zëvendësin e Lavrov

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, priti në Beograd zëvendësministrin rus të Punëve të Jashtme, Aleksandar Grushko, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij në lidhje me Rezolutën për Srebrenicën, e cila u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin maj.

Vuçiq postoi në Instagram një fotografi nga takimi me zëvendësin e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ku shkroi se e falënderon Rusinë veçanërisht për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë.

“Kemi biseduar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, tha presidenti serb. Rusia votoi kundër Rezolutës për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Rezoluta, e cila u miratua, e shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe kërkon t’i jepet fund mohimit të gjenocidit dhe madhërimit të kriminelëve të luftës. Serbia loboi kundër miratimit të saj.

Një ditë më herët, Grushko takoi edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, me të cilin bisedoi për çështjet aktuale të sigurisë dhe shprehu nevojën për koordinim të vazhdueshëm të institucioneve kompetente të sigurisë, njoftoi MPB-ja serbe.

Grushko u prit edhe nga zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ish-shefi i agjencisë serbe të inteligjencës, Aleksandar Vulin, i cili është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me Moskën. Krahas bashkëpunimit politik, Serbia dhe Rusia janë duke thelluar edhe bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Serbia ka mbështetjen e Rusisë në kundërshtimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian, Serbia nuk ka ndërmarrë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. /REL/