zoom

Aktualitet

Trafikoi 7 klandestinët pakistanezë që vdiqën në aksidentin e Këlcyrës, kapet shkodrani i kërkuar

Organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën së bashku me drejtuesin e automjetit, në një aksident rrugor më datë 2 prill 2024, në aksin Këlcyrë-Përmet, arrestohet në Shkodër 24-vjeçari i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.

Burime zyrtare thanë se i ndaluari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte.

“Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin Këlcyrë-Përmet, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit S. N., 24 vjeç, banues në Shkodër”, njoftoi policia vendore.

Më tej sqarohet se për këtë shtetas, Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, e kryer në bashkëpunim.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së”, sqaron policia.

24-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. /ZOOM.AL/