zoom

Aktualitet

Skandali te QSUT ka marrë dhenë, Rama i quan “Merimangat e Onkologjikut”. Flet dhe për “maskarenj”

Kur po bëhet një javë nga skandali te QSUT me të sëmurët me kancer, me jetët e të cilëve mjekët bënin biznes për pushime luksi në Maldive e Tajlandë, ka ardhur edhe reagimi i parë i kreut të Ekzekutivit.

Kryeministri Edi Rama ishte sot me grupin e mjekëve, ku në fjalën e tij me drejtuesit e QSUT, foli edhe njëherë për skandalin tek Onkologjiku, ku mjekët orientonin pacientët tek spitalet private, si dhe nuk iu jepnin të gjitha ilaçet të sëmurëve.

Rama i quajti mjekët që dolën në përgjime teksa bënin pazar me jetën si “merimangat e Onkologjikut”. Në fjalën e tij, Rama tha se fatkeqësisht mjaftojnë 5 maskarenj për të ndotur bluzat e bardha. Kryeministri u shpreh se mjekët nuk duhet të harrojnë, se pacientët që vijnë në QSUT dhe të afërmit e tyre paguajnë taksa, që shërbimi sot ndaj pacientit të bëhet më lehtë, falë aparaturave moderne.

“Sot mjekët kanë paga më të mira dhe kushte më moderne. Janë një sërë kushtesh moderne, që e kanë bërë punën më të lehtë për mjekët. Kushtet më të mira janë bërë me paratë e atyre që vijnë në spital, për ndihmën e bluzave të bardha. Kush harron se është shërbëtor dhe sillen si të pashpirtë si ata që pamë, meriton ndëshkimin e Zotit lart në qiell. Mjaftojnë 5 maskarenj, si ata merimangat e Onkologjikut, që ju të goditeni nga valë revolte që është legjitime, nga një popull i tërë. Ju e keni për detyrë të shërbeni”, tha ai ndër të tjera, teksa e dënoi sjelljen e të dyshuarve nën masa arresti.

Prokuroria ka 8 persona nën akuzë, shumica e tyre mjekë, teksa grupi sipas hetimeve drejtohej nga kirurgu Edmond Gashi, nën masën “arrest shtëpie”. Të sëmurët dërgoheshin te klinika private e Gashit, teksa aparatura e kobaltit ishte e dëmtuar dhe jo funksionale, duke shkaktuar edhe dëme te mjekë e pacientë.

Kryeministri mbajti një takim me ministren Albana Koçiu dhe me drejtuesit e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Rama u tregua i prerë kur tha se ka marrë fund historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në sistemin privat.

Kreu i qeverisë shtoi se do të ngrihet një grup menaxherësh të huaj të cilët do të asistojnë drejtuesen e re të QSUT dhe drejtuesit e tjerë të spitaleve në mënyrë që shkohet drejt autonomisë spitalore.

“Ne do të vijojmë punën jo vetëm me masat e paralajmëruara nga ministrja e Shëndetësisë. Historia e shefave të departamenteve dhe drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në sistemin privat, histori që e dimë mirë nga vjen ka marrë fund. Vjen nga historia e kalimit nga një sistem i centralizuar në një sistem ku hyri në mes kapitalizmi dhe nga mungesa e çdo kapaciteti e baze për të ndërtuar një sistem autonomie që i shërben mjekëve profesionistë që të mund të shpërblehen në bazë të performancës.

Ne do të angazhojmë grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afër drejtuesen e re të QSUT dhe drejtuesit e tjerë të spitaleve të kësaj qendre në mënyrë që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen të kapitullit të domosdoshëm të autonomisë spitalore që kjo qendër duhet ta ketë dhe që kësaj qendre duhet t’i japë fleksibilitetin për të shpërblyer profesionistët sipas meritës, jo me tavanet e njëjta”, u shpreh kryeministri ndër të tjera. /ZOOM.AL/