zoom

Aktualitet

Kush janë policët që vjedhin paratë e klubeve të natës në jug?

Përpiquni ta hapni videon në linkun e mëposhtëm, në Instagram. Në këtë mënyrë do ta kuptoni realisht se për çfarë flet ky shkrim.

Bëhet fjalë për zhurmat që nuk pushojnë në bregdetin e Shqipërisë jo vetëm ditën, por edhe gjatë gjithë natës, duke sjellë tek turistët e huaj e pushuesit shqiptarë një shqetësim të papërballueshëm.

Lokali në videon e mësipërme ka një specifikë. Quhet Moyo dhe ndodhet në Drimadhes. Por specifika qëndron në faktin se është i vetmi që lejohet të prodhojë të zhurmë të padurueshme, siç dëgjohet në video, e cila vijon deri në orët e para të mëngjesit, pa pyetur për qindra e mijëra pushues e banorë që duan të flenë në hotelet, shtëpitë apo vilat përreth.

Moyo Drymades

Edhe pse sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave muzika nuk lejohet pas orës 00:00, tek Moyo ajo nuk pushon.
Këtij lokali, siç duket, i është dhënë një leje speciale. Sepse ai është i vetmi që bën muzikë me volum të lartë pas orës 12 të natës.
Dhe kjo medotë që t’i japësh vetëm një lokali të tillë leje, nga 200 e me shumë lokale që janë përreth tij, nuk është parë në asnjë vend të botës.

Zoom.al u interesua se përse këtij lokali i janë dhënë këto privilegje. Burime të besueshme thanë se pronarët e lokalit janë të lidhur me qeverinë. Madje, kryeministri Edi Rama e ka këtë lokal në listën e atyre që ai frekuenton kur shkon në jug.

Por përveç kësaj, një grup banorësh e turistësh u ankuan pranë redaksisë së Zoom.al se ata nuk kanë pasur mundësi as ta denoncojnë këtë lokal, pasi sipas tyre, ka dyshime se edhe shefat e policisë marrin pagesa që të mos krijojnë shqetësime.

Po kush i merr paratë që klube të tilla nate të shkelin ligjin e të shqetësojnë turistë e banorë pa u hyrë gjemb në këmbë, Shefi i Komisariatit të Policisë së Himarës, Drejtori i Policisë së Vlorës apo Drejtori i Përgjithshëm i Policisë?

Teksa Moyo është i vetmi në zonë për të zhurmuar gjithë natën me muzikë, vetëm e vetëm që pronarët e tij të mbushin xhepat, nga Vlora në Himarë ka edhe disa klube të tjera që herë pas here e shkelin ligjin.
Vetëm gjatë mbrëme, nga Vlora në Himarë, Zoom.al konstatoi të paktën 9 lokale që bënin muzikë me volum të lartë pas mesnatës, të lejuara nga policia, e cila, në bare të tjera dërgon efektivë që përpara se ora të shkojë 00:00 duke kërkuar uljen e volumit të muzikës.

Teksa dyshimet shtohen se policia është e përfshirë në një skemë përfitimesh me klubet e natës në jug, pronarëve të beach bareve të tjera u mbeten dy rrugë për të konkurruar Moyo-n e të ngjashëm të tij: ose të paguajnë policinë, ose të jenë miq me Edi Ramën.

Një rrugë e tretë është të denoncojnë të gjithë këto klube, bashkë me krerët e policisë. Një drejtues i lartë i policisë u kap nga SPAK, sepse disa përgjime zbuluan se ai favorizonte një lokal në Tiranë duke e lënë hapur në kohën e pandemisë. Më pas u zbulua se ai kishte edhe lidhje të tjera me krimin e organizuar dhe iu sekuestruan 3 milionë euro pasuri (Kliko këtu për lajmin). Nëse edhe drejtuesit e policisë së kësaj zone do të kallëzohen në SPAK, prokuroria e posaçme ka gjasa të zbulojë skema të ngjashme e pasuri të konsiderueshme që burojnë nga aktivitetet e shkeljes së ligjit. /Zoom.al