zoom

Aktualitet

Balluku zbulon datën kur do të hapet Thumanë-Kashar, do të jetë me pagesë

Aksi Thumanë-Kashar do të jetë i hapur për qarkullim nga pasditja e 30 qershorit.

Duke inspektuar punimet e autostradës, ministrja Belinda Balluku deklaroi se tashmë për veprën infrastrukturore po bëhen ndërhyrjet e fundit, me qëllim që përdoruesit e rrugës ta kenë gati pasditen e të dielës.

Ky aks do të jetë i qarkullueshëm me pagesë, ndërsa për ata që nuk duan të paguajnë tarifën, do të mund të përdorin rrugë dytësore.

“Të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese. Në ndërkohë duhet thënë që jemi në proces negocimi të kontratave të tjera, disa prej tyre janë drejt lidhjes dhe menjëherë ashtu siç ky kantier eci me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duhet të themi që ky është një nga kantieret të dorëzuara në kohë rekord, pavarësisht gjithë problematikës që kemi pasur me shpronësimet. 1 vit e 3 muaj dhe është bërë një punë e shkëlqyer si nga konçesionari, ashtu edhe nga ARRSH-ja edhe nga Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve në një bashkëpunim të plotë të mbikëqyrur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për të qenë gati sot për të dorëzuar këtë vepër vetëm në 15 muaj në total dhe kështu shpresojmë që të shkojmë dhe me lotet e tjera”, tha Balluku.