zoom

Lajme

Çështja CEZ-DIA, Ilir Meta përsëri në SPAK. S’i kursen akuzat ndaj kreut: Po shkoj te Dum Dumani…

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shkuar sot përsëri në SPAK, teksa nuk i kurseu aspak sulmet ndaj kreut të institucionit, duke e etiketuar si “Dum Dumani”.

Teksa i drejtohej Prokurorisë së Posaçme, Meta ka folur për mediat, ndërsa nuk i ka ndaluar akuzat për Altin Dumanin, kreu i SPAK.

Ai tha se Dumani mbron Ramën dhe nuk guxon që të përmendë emrin e kryeministrit.

“A e njeh Dum Dumanin kush është? Dum Dumani është ai që nuk guxon që të hapë çështjen e McGonigal, se është me Ramën. Ai nuk guxon që të përmendë emrin e Ramës. As për çështjen e Sali Berishës që e kthehu. Po shkoj te Dum Dumani”, tha Meta për mediat.

Edhe më parë kreu i PL ka hedhur akuza të rënda ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj dhe shkak duket se është rihapja e hetimeve të çështjes CEZ-DIA ku Meta dyshohet se është i implikuar.

Dje për 5 orë u pyet bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, në lidhje me lobimin rus dhe çështjen e pasurisë apo të shpenzimeve, përfshi ndërhyrjet estetike. Në lidhje me akuzat ndaj drejtësisë prej bashkëshortit të saj, Kryemadhi tha se ndahej në këtë pikë nga Meta, pasi nuk e sulmon drejtësinë.

Ndaj çiftit të politikanëve ka pasur disa denoncime radhazi në SPAK. /ZOOM.AL/