zoom

Kosova

Policia e Kosovës shoqëron në Rajonin e Mitrovicës gruan e Milan Radoiçiç dhe e merr në pyetje

Ema Radojiçiç, bashkëshortja e Millan Radojiçiç, ndodhet në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës, raporton agjencia e lajmeve “Kosovapress”.

Raportohet se e shoqëruar nga avokati i saj, ajo është duke u intervistuar në këto çaste nga hetuesit e Departamentit të Krimeve të Rënda.

Nuk dihet nëse është paraqitur vetë në polici apo është arrestuar nga organet e vendit. Ema Radojiçiç pati ikur nga Kosova menjëherë pas sulmit në Bajnskë, më 24 shtator të vitit të kaluar dhe prej atëherë ka qëndruar në Serbi.

Pas sulmit në fshatin e komunës së Zveçanit, Radoiçiç – i përfshirë në listën e zezë amerikane për pjesëmarrje në krim të organizuar ndërkombëtar – ka shkuar në Serbi, shkruajnë mediet e Kosovës. Atje, Prokuroria e Beogradit e ka marrë në pyetje dhe ndaj tij është ngritur aktakuzë për disa vepra, përfshirë trafikimin e armëve dhe shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, ai tani është në liri, teksa është thënë se atij i janë konfiskuar dokumentet dhe se i ndalohet shkuarja në Kosovë. Radoiçiq ka hequr dorë prej pozitës që ka pasur në Listën Serbe si nënkryetar dhe, po ashtu, ka hequr dorë prej pronësisë në disa kompani në Serbi.

Autoritetet serbe patën thënë se ai gjendet “në territorin e Serbisë qendrore”. /ZOOM.AL/