zoom

Lajme

Ramës nuk i del e keqja me RAI 3 dhe Ahmetajn. Lumë akuzash ndaj kundërshtarëve…

Investigimi i emisionit “Report” të kanalit televiziv italian RAI 3 duket se nuk është pritur mirë as në pjesën e dytë nga kryeministri Edi Rama.

Në veçanti pjesa e intervistës me ish-zëvendësin e tij në arrati dhe i akuzuar për korrupsion me koncesionet e inceneratorëve, Arben Ahmetaj.

Pas transmetimit të investigimit të emisionit, vjen një tjetër reagim nga kryeministri Edi Rama. Ai tha se “ky është një sulm mbi emrin dhe flamurin e shqiptarëve” dhe se “kishte ikur koha kur kryeministrat bënin trimin në vend dhe të menderosurit në botë”.

Rama shtoi se duke marrë shkas nga gojët e politikanëve shqiptarë (referuar Ahmetajt), u hodh baltë mbi Shqipërinë. Në intervistën me gazetarin italian Rama mohoi abuzimet apo shkeljet ligjore, si dhe lidhjet me fijet e krimit, si rasti i pritjes së eksponentëve të dyshuar, deri tek ndërmjetësit e kartelit të Sinaloas.

Reagimi i plotë i Ramës:

“Deshiroj te ndaj me ju eksperiencen time me programin Report te RAI3. Nje eksperience intensive, sa fyese ne aspektin njerezor, aq edhe sfiduese ne aspektin le te themi profesional, megjithese politika per mua nuk eshte profesion, eshte mision.

Ishte fyese sepse pertej personales, keqardhjes, dhimbjes nga padrejtesia e imponuar e vendosjes ne shenjester, per shkak te fushates elektorale ne Itali e te luftes mediatike ndaj homologes sime ne krye te qeverise italiane, kjo eksperiencë kishte ne permbajtje shume balte per Shqiperine; balte e prodhuar ketu, ne Tirane, per luften politike ndaj meje e qeverise sone.

Dhe e gjithe ajo balte e ekspozuar ne ekranin e Shërbimit Publik italian, me lloj-lloj emra shqiptarësh e me dyshime të pa mbështetura në fakte, pa asnjë interes për publikun italian, që as nuk di e as nuk i intereson kush është X-i e Y-ni në Shqipëri, ishte padiskutim një baltë krejt e pamerituar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Degjoni, Shqiperia s’eshte me ajo qe ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirepo disa qe jane mesuar ta shohin e trajtojne Shqiperine si vend te botes se trete, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e te shkuares, koken e ngritur lart. Prandaj dhe pese kulla te larta ne Tirane ju duken si 500 ngaqe as e kane imagjinuar qe Tirana do te behej kjo qe vetem sapo ka filluar te duket. Dhe e vetmja menyre qe gjejne, me ndihmen e gojeve te pista te politikaneve pa atdhe e te papagajve te tyre pa skrupuj, eshte te hedhin balte duke na pikturuar paciperisht si mafioze, trafikante, kriminele…

Po per mua cënimi me gjysëm të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pike. Kush e ben duhet ta mesoje se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqiperise, rrinin si skutha qe benin te fortin me te dobetit ketu brenda dhe te menderosurin para te huajve ka vdekur.

U habiten gazetaret e Reportit qe une jo nuk i ika asnje pyetjeje, po e kerkova vete, publikisht ballafaqimin me ta. Thane qe kete politikanet e tyre nuk e bejne dhe e quajten kurajo te madhe, po ne fakt e imja s’eshte kurajo, eshte krenari per Shqiperine dhe per emrin shqiptar. Shqiptaret e Italise, Greqise e kudo tjeter, nuk kane per te qene kurre vetem sa te jem une ketu, perballe asnje cenimi te emrit shqiptar. Kane vuajtur boll per ta ngritur koken dhe as ata, as Shqiperia nuk e ulin me koken.

Ne i dimë më mirë se kushdo edhe plaget, edhe problemet, edhe të metat e dobësitë tona. Luftojmë përditë me to. Po kush hedh baltë mbi Shqipërinë e mbi shtetin shqiptar, duke na treguar edhe me gisht siç bënin dikur që s’u linin kusur shqiptarëve, duhet e do ta marrë kurdoherë përgjigjen tonë. Me pune dhe me fjale. Me vepra dhe me krenari sa here flasim per Shqiperine.

Ata thanë që nuk e kishin me Shqipërinë e me popullin shqiptar. Po ama dëmin ia bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve edhe nese nuk ishin nisur me këtë mendim.

Po me kë e kishin ata?

Ata e kishin me qeverinë e tyre dhe deri këtu janë në të drejtën e tyre të shenjtë. Por ama kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujrave të zeza politike e mediatike të Tiranës, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj janë dënuar si të lidhur me mafian, ata shkelin jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror.

Në bashkëpunim me një grusht shqiptarësh pa atdhe, pa fe, pa din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative. U përdorën si heronj të shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuari nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor si opinionist një veteran i luftës me gjysëm të vërteta kundër meje e qeverisë sonë e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh pa asnjë lloj fakti.

Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujrave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike që i shërbejnë asaj llumpolitike. Asgjë pakontestueshme logjikisht, e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nuk nxorri pseudo investigimi italo-shqiptar, po vetëm mbarsi malin për të pjellë një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po “epo ka akuza”!

Akuza nga kush, mbi çfarë baze faktike, mbështetur mbi cilat të vërteta të provuara? Një shfaqje televiziv si një version demokratik i hetimeve famëkeqia të Sigurimit të Shtetit, ky tha, ai tha, ata thonë, ai takoi atë, ky u takua me atë, ti takove ata, thuhet se këtu bëhet kjo, thonë se në Shqipëri ndodhin këto, janë arrestuar, jo s’janë arrestuar, janë të lidhur, jo s’janë të lidhur, thanë dy kriminelë që njohin atë, ka akuza per vellain e atij, ata atje pastrojnë paratë e atyre andej, bla-bla-bla…

Por tekefundit, te pakten ana italiane e ketij bashkeprodhimi te neveritshem, e pohoi me me gojën e vet se nuk janë ata që mendojnë se Shqipëria është një narkoshtet, nuk janë ata drejteperdrejte që akuzojnë, po janë të tjerë, janë këtu, në mesin tonë, ndersa ata thjesht gatuan një çorbë me prodhime bio shqiptare.

Tani unë nuk kam asgjë me shume me palen italiane, me gazetarin italian jo e jo, ai erdhi më mori një intervistë, shërbeu dhe iku. Ua thashë në mes të Italisë që ditën e parë se çfarë ishte ai pseudo-investigimi i tyre, nuk lashë hapësirë e shteg në mediat e vendit mik pa ua përplasur syve të vërtetat dhe siç e patë, jo vetëm nuk iu shmanga ballafaqimit, po e postova të pacensuruar në këtë faqe. Sepse po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, nuk rrija në këmbë
për të udhëhequr Shqipërinë, po ikja ulesha në bisht tek bahçja e shtëpisë.

Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare:

Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujrave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë!

Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes qe po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kry punë me atë shpirt të keq që e persekuton qysh prej vitit 1912. Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush, përveç nesh, shqiptarëve. Kokën lart dhe vetëm përpara!”. /ZOOM.AL/