zoom

Aktualitet

Dhunuan barbarisht avokatin Mëngjesi, Gjykata lë në burg 5 autorët. Çfarë thanë 2 të ndaluarit…

Gjykata e Tiranës ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj dy të arrestuarve dhe në mungesë ndaj tre personave të tjerë të shpallur në kërkim, në lidhje me sulmin ndaj avokatit Sokol Mëngjesi pak ditë më parë, i cili ndodhet në koma artificiale dhe mjekët shprehen se jeta e tij ndodhet në “fije të perit”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura, teksa dy të ndaluarit mohuan respektivisht përfshirjen dhe qëllimin e sulmit. Dritan Nano dhe Dorian Alia nuk e kanë pranuar akuzën, duke deklaruar se ngjarja nuk ka qenë e organizuar.

Ndërkohë vijon të jetë e njëjta gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi, me të njëjtat parametra. Vazhdon të jetë në monitorim intensiv nga stafi mjekësor në reanimacion, ku i bëhen ekzaminime herë pas here për të parë gjendjen e tij.

Prokuroria e Tiranës dorëzoi aktet e dosjes dhe kërkoi “arrest me burg” për dy të arrestuarit e deritanishëm, Dritan Nano si urdhërues i dyshuar i krimit dhe Dorian Alia si autor i agresionit, të akuzuar për dhunën barbare në ish-Bllok, ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, katër ditë më parë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim, kundërshtim dhe goditja e avokatit po e kryer ne bashkëpunim.

Për Drivald Aliaj, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku, prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë arrest me burg në mungesë, për të njëjtat akuza si Nano (foto sipër) e Alia. Kapja e tyre deri tani nuk është bërë e mundur megjithë kontrollet e ushtruara, edhe pse Policia ka ofruar 20 mijë euro shpërblim.

Alia ka thënë se Nano i urdhëroi të kryenin sulmin dhe e bënë për miqësi, por jo me qëllim për ta vrarë avokatin e ish-kryeministrit Sali Berisha, por për ta trembur. Mëngjesi ndodhet në intubim, koma artificiale, prej ditës së ngjarjes, pasi ka traumë të fortë në tru. /ZOOM.AL/