zoom

Aktualitet

I arratisur nga burgu italian e me identitet grek, kapet në Belgjikë shqiptari i dënuar me 28 vite

Pas 7 vitesh në arrati dhe nën një identitet të rremë grek, tani do të duhet të vuajë 28 vjet burg në Itali për trafik droge dhe armësh.

Ilir Pere, 48 vjec, më në fund është arritur të vihet në pranga në Belgjikë, pas një urdhëri ndërkombëtar arresti. Në identitetin fals grek Nikolaos Liarakos, ai ishte i përfshirë në trafikun e drogës dhe shitjen e armëve në nivel ndërkombëtar.

Hetuesit italianë e kapën atë në Belgjikë, falë një operacioni të përbashkët me policinë flamande. Ai tani është i ndaluar në Liège. Magjistratët antimafia të Catanzaro e morën në pyetje në Belgjikë. Pere duhet të kryejë 28 vjet burg në Itali dhe është i përfshirë edhe në hetimin “Gentleman II” për trafikun e drogës midis Sibaritide dhe Gjermanisë. Gjatë marrjes në pyetje, Pere pranoi identitetin e tij të vërtetë dhe përdorimin e kriptofonave, por mohoi një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës.

Ai ka rrëfyer se kishte blerë armë për t’u hakmarrë për vëllain e tij të vrarë dhe djegur nga shqiptarë të tjerë. Më tej ai shpjegoi se kriptofonat mund të bliheshin nga furnitorë turq dhe pakistanezë, por vetëm nëse rekomandoheshin. Ilir Pere tha se u arratis nga burgu Rebibbia më 27 tetor 2016, së bashku me dy miq shqiptarë konkretisht Tesilvan Basho dhe Mikel Hasanbelliu dhe jetoi i fshehur në Gjermani, Shqipëri dhe Belgjikë për shtatë vjet, me synimin për të fituar para dhe për të qëndruar i lirë.

Pere pranoi se kishte pasur marrëdhënie me Claudio Cardamone nga Cassano. Ai ka rrëfyer blerjen e një kilogrami kokainë dhe mbajtjen e 150 mijë eurove në shtëpi, por nuk i mban mend emrat e kontakteve dhe se ka bërë biznes me anëtarët e ‘Ndrangheta’. Magjistratët italianë kanë kërkuar ekstradimin e Peres. /ZOOM.AL/