zoom

Aktualitet

Kapja e 7,3 kg kokainë në Port, shpallet në kërkim pritësi i mallit në Angli. Emri dhe detajet…

Detaje të reja nga operacioni i fundjavës në Portin e Durrësit, ku u zbuluan 7,3 kg kokainë e pastër në furgonin e mallrave për në Angli dhe që po imbarkohej në tragetin e linjës për në Itali.

Dy ditë pas sekuestrimit të një sasie prej 7.3 kg kokaine në Portin e Durrësit, është identifikuar dhe shpallur në kërkim dhe porositësi i ‘mallit’. Më parë ishin arrestuar dy transportuesit që drejtonin furgonin, në kushte flagrance.

Të ndaluarit Arjan Doçi dhe Mentor çuni e mohuan, duke thënë se nuk e dinin se kush e kishte futur mallin, por policia tha se e gjeti të fshehur mirë në një shtresë të dyfishtë të mjetit. Të tre do akuzohen për trafik ndërkombëtar narkotikësh, e kryer në bashkëpunim.

Në vijim të operacionit “Pakot”, si rezultat i hetimeve të thelluara u identifikua dhe u shpall në kërkim pritësi i lëndës narkotike shtetasi Fatbardh Cuni.

“Gjatë operacionit “Pakot”, i zhvilluar 2 ditë më parë, u vunë në pranga pronari i furgonit dhe drejtuesi i furgonit ku u gjet lënda narkotike. Në vijim të punës hetimore për dokumentimin e rastit të tentativës për të trafikuar 7.3 kg kokainë, nga porti i Durrësit drejt Anglisë, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, kanë thelluar hetimet për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Si rezultat i hetimeve, konfirmohet se u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit F. C., 37 vjeç, i cili dyshohet se do të priste lëndën narkotike, në Angli.

“Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti. Ndërkohë, po bashkëpunohet ngushtësisht me autoritetet ligjzbatuese dhe homologët e Britanisë së Madhe, për të bërë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim”, theksoi policia.