zoom

Aktualitet

Argita Malltezi akuzon SPAK-un: Procesi ndaj Berishës politik, Prokuroria bëri mashtrim topografik!

Argita Malltezi, e bija e ish-kryeministrit Sali Berisha, doli në një konferencë për gazetarët, ku ka deklaruar se procesi ndaj të atit dhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi, është politik.

Teksa ra në sy përsëri bluza e zezë e personalizuar me stampimin e fytyrës së babait të saj dhe parullën “Lironi Berishën”, ajo ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme se ka bërë edhe mashtrim topografik në çështje, ndërkohë që ka shtuar se ndërrimi i destinacionit të “Kompleksit Partizani” u bë nga Edi Rama në vitin 2006.

“Procesi ndaj Sali Berishës është politik. Altin Dumani, Millonai dhe Kraja po bëjnë një proces fiktiv ndaj Berishës. Ka falsifikime nga hetuesit për procesin ndaj Sali Berisha. Ndërrimi i destinacionit të Kompleksit Partizani u bë nga Edi Rama në vitin 2006. SPAK ka bërë mashtrim topografik në çështje”, tha ajo ndër të tjera.

Malltezi edhe më parë ka akuzuar prokurorinë për proces të qëllimshëm, politik apo edhe për t’i djegur mandatin e deputetit babait të saj. Argita thekson se SPAK nuk ka asnjë provë për çështjen dhe asnjë fakt për falsifikim apo korrupsion. /ZOOM.AL/