zoom

Aktualitet

Dumani: Veliaj nuk është kolegu i asnjërit në SPAK…

Prej disa orësh, kreu i SPAK-ut, Altin Dumani po raporton te Komisioni i Ligjeve dhe po u përgjigjet pyetjeve të deputetëve.

Ai është pyetur edhe në lidhje me hetimin pasuror që Prokuroria e Posaçme ka nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ishte pikërisht deputeti i PD-së, Dashnor Sula ai që pyeti Dumanin për këtë çështje, ndërsa ky i fundit theksoi se kjo është çështje hetimi.

Dumani u pyet nga deputeti Dashnor Sula edhe nëse ka politikanë të lartë që kanë përdorur Sky Ecc. Ai u shpreh se nuk mund të flasë sot për këtë temë, duke shtuar se në çdo rast që do evidentohet një rast i tillë, do të nisin hetimet.

“Nuk mund të prononcohem, por në çdo rast që evidentohen do të hetojmë, sepse është detyrim ligjor, e nuk është çështje zgjedhje. Jemi në hetim e sipër”, tha ai.

Pjesë nga diskutimet:

Sula: Në çfarë faze, është viti i katërt që po hetohen çështja e inceneratorëve. Kur mund të kemi përfundim të hetimeve. A po hetohen 4 koncesionet e shëndetësisë? Kemi disa tendera të rrugëve, si ajo e Arbrit, e Ersekës. A ka hetime për këto tendera. A është në hetim Veliaj dhe a keni koleg? Ju s’po lini gjë pa bërë, dhe ne nuk po themi gjë.

Bushka: A keni interes për përgjigjet? Ndaloni!

Dumani: Përgjigjet do t’i jap dhe me heshtje ndonjëherë. Lidhur me pyetjen e parë, a ka nisur procedim penal për Veliajn. E kam deklaruar dhe vitin e kaluar. Kësaj pyetje nuk i jap përgjigje për asnjë. As për ju të nderuar deputetë dhe as për mediat. Kjo është çështje hetimi. Kolegë ne kemi vetëm kolegët e Prokurorisë së Posaçme dhe ata të të Byrosë Kombëtare të Hetimit. /ZOOM.AL/