Aplikacion
Dhe kështu tragjedia merr përmasa të tjera, pasi nëna nuk do të prehet pranë fëmijëve të saj, por në qytetin e Durrësit, pranë varrit të nënës së saj. Kanë qenë familjarët ata që kanë këmbëngulur që të merrnin trupin e pajetë të Alma Arrazit dhe mos të lejonin që ajo të prehej pranë 3 vogëlushëve, me të cilët u vetëmbyt në ujërat e lumit Bunë.
Mësohet se varrimi i saj do të bëhet në orën 12:00. Gjithashtu bëhet me dije se Drejtoria e Burgjeve i ka dhënë leje Erdgys Arrazit për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të dy fëmijëve të tij, Gresi dhe Ardit Arrazi, por që një gjë e tillë varet nga vendimi që do të marrë Prokuroria e Shkodrës.
Arrazi ka masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet për dhunë në familje ndaj gruas dhe fëmijëve, duke i detyruar në tragjedi. Ai i ka mohuar akuzat e ngritura, teksa Prokuroria po heton edhe lidhjen jashtëmartesore të tij me një vajzë të re.
Erdgys Arrazi ndodhet pas hekurave për veprën penale të shtyrjes drejt vetëvrasjes së gruas dhe 3 fëmijëve të tyre. Vajza e madhe e familjes Arrazi u varros dy ditë më parë në Shkodër, pasi ishte e para që iu gjet trupi në Bunë. Familjarët e Almës theksuan se shkak u bë tradhtia bashkëshortore dhe dhuna që Erdgysi ushtronte ndaj Almës dhe jo problemet e saj psikologjike apo shëndeti mendor. /ZOOM.AL/