zoom

Lajme

Meta sulmon dhe ndërkombëtarët: Ambasadorin italian do e shpallja “non grata”. Do kenë fatin e…

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, pati sulme dhe akuza për të gjithë në fjalën e tij para Konventës.

Madje ai sulmoi edhe ndërkombëtarët, duke i konsideruar si turp nëse mendojnë se shqiptarët janë popull pulash, si dhe për rastin e ambasadorit italian, duke thënë se do e shpallte “non grata” kur kritikoi dekretin e tij, por s’e bëri për shkak të marrëdhënieve të mira me Italinë.

Ai tha se do të shpallte ambasadorin italian non-grata që komentoi dhe doli kundër dekretit të presidentit. Ai paralajmëroi se nëse kjo gjë do të ndodhë me ndonjë dekret të Begajt, ai do të jetë i pari që do të mbledhë njerëz para ambasadës.

Deklarata e Metës:

“McGonigalët kujtojnë se ne jemi popull pulash që na thonë shkelni Kushtetutën. Kështu e bëni në vendet tuaja? I emëroni gjyqtarët tek Lana? Nuk bëhen në një vend europian këto. Prandaj respektin për partnerët që na respektojnë si popull, turp për McGonigalët. Të dali ambasadori i Italisë dhe të diskutojë dekretin e presidentit të republikës. Do e kisha shpallur non-grata, por vetëm prej marrëdhënieve me Italinë nuk e bëra.

Nëse një ambasador diskuton dekretin e Bajram Begaj unë i pari do dal përpara ambasadës do mbledh njerëz. Sovraniteti i përket popullit. Nëndetësja 105 do kthehet në bazë. Kushtetuta do kthehet atje ku ishte. Të gjithë do kenë fatin e Dvoranit. Të jeni të sigurt se nuk është vepër e sekretarit të shtetit.

Është vepër e McGonigalëve. Nuk i kanë thënë se ka qenë hetues, që futi në burg ata që rrëzuan bustin e Stalinit. Ai ka kuptuar, se po ta kishte bërë me bindje do ta kishte takuar Dvoranit. Mirë dakord unë u çmenda, po ti torrollak pse i dhe 7 vota Dvoranit. Si mundet këtë hero të antikorrupsionit të mos e çoje në GJK”, tha Meta.