zoom

Politikë

Rama mbrojti mandatin e Xhaçkës, PD shkresë ndërkombëtarëve: Puç kushtetues, mos heshtni…!

Socialistën e mbrojtën fort dhe nuk e lëshuan mandatin e Olta Xhaçkës edhe pas një vendimi të Kushtetueses apo votimit kundër për ta ridërguar atje.

Dhe pas rëzimit që mazhoranca i bëri të enjten në Parlament kërkesës dhe raportit të Rithemelimit të PD, për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese sa i përket mandatit të Olta Xhaçkës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ndërmarrë një nismë informative diplomatike. Kreu i tij, Gazmend Bardhi, ka informuar Komisionin Europian, Parlamentin Europian dhe Trupin Diplomatik në Tiranë.

PD e ka cilësuar si një mbrojtje politike nga drejtësia dhe si dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet. Gjithashtu edhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste, për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të saj.

Përmes një shkrese zyrtare, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ka informuar për këtë çështje Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, eurodeputeten Isabel Santos, që është Raportere për Shqipërinë në Parlamentin Europian, si dhe gjithë Trupin Diplomatik të Akredituar në Tiranë.

“Në çdo vend demokratik, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor. As Kuvendi dhe asnjë institucion publik nuk mund të shpallë sovranitetin përkundrejt vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të rrënonte parimin kushtetutes të balancës dhe kontrollit mes pushteteve, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit, sepse do të merrte tiparet e qarta të një puçi kushtetues”, thuhet në shkresën e Bardhit.

Ky pengim i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetutese për rastin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, sipas Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike vjen pas evidentimit të qartë të faktit se familja e saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik me firmë të Kryeministrit Edi Rama, në shkelje të ligjit dhe konfliktit të interesit. Vetë Xhaçka e ka mohuar përfitimin personal apo shkeljen e ligjit nga bashkëshorti i saj.

“Ky rast merr përmasat e një mbrojtje të pastër politike dhe pengimit të drejtësisë, po të mbahen në konsideratë edhe të dhënat e reja të hetuara dhe bëra publike nga SPAK. Nga ky hetim rezulton e provuar se pronësia mbi tokën është përfituar me dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur që një tokë bujqësore, me një sipërfaqe në total prej 10.592 m2, e ndodhur në Dhërmi/Vlorë, në pronësi shtet, të tjetërsohet përmes transaksioneve tek të tretët në favor të subjektit privat në pronësi të bashkëshortit të deputetes Olta Xhaçka”, theksohet më tej në shkresën zyrtare të PD.

Bardhi e konsideron të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese. Bardhi thekson se ky veprim përbën minim të demokracisë dhe rrënon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi.

Në fund ai kërkon që ndërkombëtarët si nxitës të Reformës në Drejtësi dhe si garant të çuarjes përpara të zbatimit të kësaj Reforme pa devijime të papërshtatshme, të reagojnë dhe të mos heshtin.

“Duke besuar se nuk mbështesni standardin “një drejtësi për Edi Ramën dhe një drejtësi tjetër për gjithë të tjerët”, shpreh bindjen time se ky veprim i paprecedent nuk do të përkrahet nga ana juaj, qoftë edhe përmes kalimin të kësaj situate në heshtje”, përfundon shkresa e kreut të grupit parlamentar të PD. /ZOOM.AL/