zoom

Lajme

Komisioni për TIMS, Salianji: S’e kuptoj si u kthye Muça! Dogjani denoncon: Transferoi 1 mln euro

Komisioni Hetimor Parlamentar u mblodh këtë të premte, ndërsa nuk munguan debatet mes mazhorancës dhe opozitës, ku tema kryesore ishte se si u pezullua dhe rikthye në krye të IT-së së Policisë i dyshuari Ervin Muça, tashmë nën arrest shtëpiak për vjedhjen e të dhënave të TIMS.

Madje deputeti Dogjani denoncoi se ish-zyrtari ka transferuar edhe 1 mln euro nga një llogari.

Kreu i Komisionit, Ervin Salianji tha se ndërhyrja në sistemin TIMS është një nga momentet më të rënda të vendit, ndërsa kujtoi se Ervin Muça personi përgjegjës për marrjen e të dhënave, është rikthyer në detyrën e drejtorit të IT në Polici, 10 muaj pasi ishte pezulluar.

Muça, tha Salianji, ishte protagonist edhe në vjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve shqiptarë kur u publikuan listat e pagave në vitin 2021.

“Ky komision hetimor që në nisje të punës së tij, pavarësisht se ngjarja për të cilën jemi ngarkuar nga Kuvendi për të hetuar është një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vend, është ndërhyrja në TIMS e cila fatkeqësisht me ekspertizën e SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës është vërtetuar se ka patur ndërhyrje. Ervin Muça është arrestuar i cili siç e kemi diskutuar në mbledhjet e para të këtij komisioni, është ndër dëshmitarët e parë të thirrur. E pashpjegueshme se si për 10 muaj me radhë pasi është pezulluar nga e njëjta trupë në Polici është rikthyer duke qëndruar drejtor i IT në polici dhe duke vazhduar në paligjshmëri një person me precedent penal të mëparshëm dhe në shkelje të ligjit.

Në 21.12.2021 në WhatsApp janë shpërndarë masivisht listat e pagave të muajve janar dhe prill të vitit 2021 për 637 mijë qytetarë shqiptarë. Në 24 dhjetor 2021 dorëhiqet drejtori i IT te Tatimet i cili është hiç më pak se shtetasi Ervin Muça. Edhe pas këtij skandali, i listëpagesave dhe te ky që po hetojmë, dorëheqja ka ardhur si pasojë e veprimeve të paligjshme të këtij personi“, u shpreh Salianji.

Kurse deputeti i PD-së, Asllan Dogjani lësjoi akuza të forta në në mbledhjen e komisionit hetimor të TIMS. Ai tha se Ervin Muça, drejtori i IT në Policinë e Shtetit që u pezullua pas hetimit që SPAK nisi për të, ka transferuar nga emri i një punonjësi 1 milion euro.

“Kam dhe një informacion tjetër për këtë Muçën, që në kohën që ja qenë te AKSH, një punonjës i tij e ka kallëzuar sepse ka përdorur të dhënat e tij për të transferuar 1 milionë euro te një kompani. Pasi është zbuluar, është marrë në pyetje punonjësi, dhe ka thënë se nuk di gjë. Më pas ai ka bërë kallëzim, dhe është larguar nga puna. Ky (Ervin Muça) mund të jetë një agjent i shërbimeve të huaja që merr të dhënat e qytetarëve dhe mund t’i përdorë kundër Shqipërisë. Dhe ndaj e kemi kërkuar si dëshmitar. Do kërkoja të shtrijmë hetimin se mund të jetë agjent i shërbimeve të huaja, ai ka bërë tradhti kombëtare”, tha ai.

Te mbledhja e Komisionit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit Tims nuk kanë munguar ironitë, por edhe sugjerimet. Deputeti i PD-së, Luan Baçi sugjeroi që të zbatohet ligji dhe rendi i ditës. Ndërkohë, Bledjan Nallbati tha se dje kushtetuta, me mbrojtjen që i bëri Xhaçkës, duke mos çuar në Kushtetuese mandatin e saj, ‘vdiq’.

Debatet mes deputetëve:

Luan Baçi: Duhet t’i dëgjojmë këta ekspertë dhe më pas të na dëgjojnë edhe qytetarët. Duhet të jemi; as ju avokatë, dhe as ne gjyqtarë. Anëtarët e këtij komisioni duhet të zbatojnë ligjin dhe të bëjmë transparencë.

Kollçaku: Qëndrimi im është; të zbatohet procesverbali. Më pas miratohet lista e ekspertëve. Për ça duhet gjithë ky show mediatik. Del kryetari dhe thotë; skandal ngjarja. Ai bëri dhe kryeprokurorin dhe avokatin. Ka ndodhur një ngjarje, ndaj duhet të fokusohemi këtu, te Kushtetuta.

Bledjon Nallbati: Nëse bëni fjalën për këtë Kushtetutës dje, asaj dje i bëtë varrimin. Pas asaj që bëtë dje nuk mund të vini dhe të flisni këtu. Dje e varrosët kushtetutën, duke hedhur poshtë ligjin. Na e bëni me dije se cilën kushtetutë zbatoni, që të jemi dhe të paditurit të ditur, që mos të frikësohemi.

/ZOOM.AL/