Aplikacion
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, kërkoi ndërprerjen e seancës së Kuvendit me pretendimin se mazhoranca nuk ka dërguar raportin për mandatin e Olta Xhaçkës. Deklarata e Bardhit u përgenjështrua nga kryeparlamentarja, Lindita Nikolla e cila tha raporti ndodhet në sistemin e Kuvendit dhe deputetëve iu është vënë në dispozicion.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi deklaroi se mazhoranca do të votojë projektvendimin dhe do të jetë vota e deputetëve që do të vendosë dërgimin e mandatit të Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese.
Replikat në Kuvend:
Gazment Bardhi: Ne nuk kemi ende raportin e shumicës në këshillin e rregullores dhe mandatit, ndryshe nga praktika, nuk morët një vendim. Nuk e dimë kush është raporti juaj dhe se ccfarë do të votojnë deputetët e mazhorancës dhe opozitës. Ndërprisni seancën dhe na vini në dispozicion raportin, nuk mund të fshiheni gjatë se do të votoni pas disa orësh. Na vini në dispozicion raportin e shumicës. Caktuat një afat të mërkurën dhe e keni tejkaluar. Detyrimin për të zbatuar vendimin e GJK e kemi të përbashkët. Nëse nuk e keni gati raportin, ndërprisni seancën.
Lindita Nikolla: Raportin e keni në sistem. Rregullorja thotë duhen dy javë, por afati është respektuar dhe është hedhur në sistem.
Bledi Çuçi: Ne e kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që në momentin e parë kur kemi thënë që shfuqizon të dy vendimet që janë marrë nga Parlamenti në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Nuk është e vërtetë që nuk dolëm në konkluzion në mbledhjen e Këshillit të Mandateve. Ne thamë që do ta çojmë çështjen në seancë plenare sepse kështu na detyron Kushtetuta për të marrë një vendim.
Diskutimet e tjera:
Kurse deputetja Jorida Tabaku tha se duhet parë me kujdes komisioni për dezinformimin, pasi ka shqetësime për fushën e veprimit dhe shkeljen e lirisë së medias.
Tabaku u shpreh: “Pas vendimit të konferencës së kryetarëve i nisa një shkresë ministrit të jashtëm. Prita që Bardhi e Çuçi të uleshin të diskutonin. Kjo nuk duhet të përfshihet në retorikën e përditshme politike.
Disa shoqata, organizata të lirisë së medias kanë ngritur shqetësime për fushën e veprimit të këtij komisioni. Për këtë komision palët duhet të diskutojnë se cila është rruga më e mirë dhe për të mos shkelë vijën e hollë të lirisë së medias. Të mos e përdorim. Duhet të shqyrtohet nga kolegë me eksperiencë. Kërkoj që të kemi përfaqësim të drejtë në këtë komision”.
Edhe deputeti i PD-së Asllan Dogjani ka pasur një kritikë për kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ndërsa akuzoi këtë të fundit për faktin se i privon fjalën opozitës. Ai tha nga Kuvendi se sa herë flasin deputetët opozitarë, Nikolla ndërhyn dhe i pengon.
“E kam për procedurë. E kam me ju zonja kryetare. Kam vënë re, jo vetëm sot, që sa herë flasin deputetët e opozitës, ndërhyni me të padrejtë, duke i ndaluar fjalën dhe paragjykoni pa dëgjuar se çfarë flasin. Ju duhet të ishit më garant për ne, se jemi në opozitë, se fjalën kemi. Nëse do të kishim tejkalim të procedurës, duhet të na mbështesni. Mos na ndaloni sa herë që flasim”, tha Dogjani. /ZOOM.AL/
Reagon gazetari i përmendur në përgjimet e Suel Çelës me Artan Hoxhën: S’kam përfituar kurrë favore