Aplikacion
Me 28 mars, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e njohur ndryshe edhe si Prokuroria Speciale, nxori një deklaratë për shtyp se kishte lëshuar urdhërarreste për një sërë drejtorët të lartë të Bashkisë së Tiranës, përfshirë Redi Mollën, ish-drejtor i Operatorit të Ujësjellësit Tiranë UKT dhe Mariglen Qaton, ish-drejtor i Inspektoratit për Mbrojtjen e Territorit (IMT). Të dy akuzohen për korrupsion dhe mosdeklarim të interesave private si funksionarë publikë, pasi u denoncuan vitin e shkuar nga deputeti i opozitës, Belind Këlliçi.
Sipas akuzave, Molla dhe Qato ishin pronarë de facto të një kompanie private pjesëmarrëse në tenderat e lëshuar nga një numër institucionesh publike, përfshirë edhe vetë UKT-në. Në letër, kompania ishte në pronësi të një bukëpjekësi dhe nuk kishte histori të provuar për asnjë nga llojet e projekteve për të cilat fitoi tenderët. Në periudhën 2016–2020, kjo kompani (Igor Elektrik, ose V.A.S Konstruksion, ose 5D Konstruksion) ka fituar 7 tendera të ndryshëm nga UKT, për të cilët Molla dhe Qato, si dhe shtatë të tjerë po hetohen aktualisht:
Këto tendera kapin një total prej 221.966.057 lekësh ose rreth 2 milionë euro. Kësaj mund t’i shtojmë më shumë se një duzinë tenderash të tjerë nga institucione të tjera publike në Tiranë e gjetkë, për ndërtimin e rrugëve, ambienteve sportive dhe së fundmi rikonstruksionin prestigjioz të kompleksit Kinostudio me një çmim prej 345.099.918,00 lekësh. (~3.4 milionë euro), disa prej të cilave tashmë janë nën hetim nga SPAK për parregullsi.
Kjo vetëservirje e tenderave publikë nuk duhet të jetë befasi. Për gati një dekadë, procedurat e prokurimit publik në Shqipëri janë njollosur nga pazare të padrejta, njohuri të brendshme, rritje të çmimeve nga kartelet dhe teknika të tjera të ndryshme që rritin koston dhe ulin cilësinë e ofruar për taksapaguesit shqiptarë. Të gjitha këto janë të mirëdokumentuara.
Pyetja kryesore është se deri ku brenda Bashkisë së Tiranës ka pasur njohuri për pasurimin që është bërë. Gazetari, duke cituar nga dosja, vëren tashmë se administratori i 5D Konstruksion ishte urdhëruar të merrte pjesë në fushatën politike për Partinë Socialiste, duke e marrë për të mirëqenë se kompania ishte “shtetërore”. Kjo lë të kuptohet për njohuri shumë më të gjerë të marrëdhënieve të 5D Konstruksion sesa vetëm pronarët e saj.
Një tjetër kompani pjesërisht në pronësi të Redi Mollës, Mediterranean Investment Group, mori në vitin 2021 nga ministrja e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro statusin e “investimit strategjik” për një projekt hotelerie me pesë yje në Durrës. Ligji i Investimeve Strategjike, i parashtruar fillimisht si një mënyrë për të tërhequr investimet e huaja direkte, është përdorur kryesisht për të përfituar projekte ndërtimi nga oligarkët kryesorë të vendit, duke shmangur taksat, duke privatizuar tokat në pronësi publike për çmime qesharake dhe duke ofruar mbështetje shtetërore për infrastruktura si menaxhimi i ujit dhe mbetjeve për t’i shërbyer “investimit”. Pra, realiteti i Ligjit të Investimeve Strategjike është një hemorragji masive, e pakontrolluar e parave publike drejt subjekteve private (të favorizuara).
Pra, imagjinoni si vijon: Molla zotëronte një kompani që merrte tendera nga institucionet publike që ai vetë i miratonte, dhe paratë publike që përfitoi nga këto tendera, më pas i investonte në një projekt privat që merrte lehtësira të mëdha tatimore nga qeveria të cilës i shërbente. Në çdo hap publiku shqiptar paguan faturën. Në çdo hap, një individ i lidhur politikisht përfiton financiarisht nga paratë e taksapaguesve. Dhe ky është vetëm një shembull i veçuar. Sa të tjerë kanë ndjekur të njëjtën rrugë?
Vetë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përflitet si një nga aksionerët kryesorë të këtij hoteli në Durrës, i fshehur pas aksionerëve nominalë Gazmend Haxhia, Redi Molla, Dritan Kadiu dhe Bledar e Elvin Tivari. Dosja e SPAK-ut për 5D Konstruksion përmban vërtet komunikim që i referohet “Lali Erit” si një nga pronarët. Kjo do të dukej arsye e mjaftueshme që SPAK t’i bëjë thirrje Veliajt të dëshmojë për vërtetësinë e këtij pretendimi.
Që e gjithë kjo aferë po e trondit kafazin e Veliajt, duket qartë nga videodeklarata që ai publikoi në YouTube. Pasi deklaroi se nuk mund të komentojë dot procedimet ligjore, ai vazhdon duke vlerësuar Mollën, Qaton dhe Taulant Tushën, ish-drejtorin e Punëve Publike i cili po ndiqet penalisht për shkelje të procedurave të tenderit për të njëjtën çështje. Por më pas ai hap një sulm të drejtpërdrejtë në linjën e mësipërme të pyetjeve:
Tani lind një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që zakonisht ngrihet nga inkuizitorët mesjetarë, oficerët e shërbimeve sekrete moderne dhe prokurorët e medias në kabinat televizive, sa herë që SPAK vepron kundër një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi që Edi Rama nuk e ka ditur këtë dhe a ka mundësi që edhe zëvendësi i tij, një person që aktualisht është në kërkim nga sistemi i drejtësisë, të mund të kryejë këto krime të rënda për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?
Veliaj e krahason veten drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama, duke kujtuar rastin e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili aktualisht fshihet në Zvicër nga një tjetër urdhërarresti i SPAK. Mesazhi i fshehtë është i qartë: nëse kjo “gjueti shtrigash” po më fundos, do të të tërheq edhe ty me mua. Ti je njësoj si unë. Një e shtënë paralajmëruese, siç do të thoshte dikush.
Ai vazhdon të pretendojë, me aq iluzion sa mund të mbledhë, se në “asnjë vend demokratik” ndjekja penale e tre drejtorëve të lartë nuk do të ndikonte në pozitën e eprorit të tyre të drejtpërdrejtë politik dhe administrativ, i cili tashmë është nën dyshim në të paktën një çështje tjetër, përkatësisht tenderët publikë për inceneratorët që nuk kanë ekzistuar kurrë… Realiteti, natyrisht, është se në çdo “vend demokratik” veprimi i përgjegjshëm politikisht do të ishte dorëheqja.
Kryeministri Rama është përgjigjur në Facebook:
JAM MË SE DAKORD me atë që u tha sot qytetarëve të Tiranës kryebashkiaku Erion Veliaj, në një mesazh të lidhur drejtpërdrejt me arrestimin nga SPAK të disa ish-drejtorëve dhe drejtorëve të bashkisë!
Prokurimet publike, investimet strategjike, SPAK, mashtrimet e poshtra të Veliajt, postimet Trampiane të Ramës në Facebook. Pak gjëra duket se kanë ndryshuar qëkur nuk shkruaj më për Exit Albania në 2018, por ja ku jemi sërish.
Le ta mendojmë qeverinë Rama si një lule që lulëzoi në vitin 2013 dhe dha fryte – fryte vërtet të çuditshme – në vitin 2017 dhe 2021. Tani kemi mbërritur në momentin kur ky fryt kaq i pasur dhe i bollshëm, ka filluar të kalbet. Kjo është një kalbësi që po përhapet brenda vetë qeverisë, pasi dominon pothuajse çdo institucion, bashki, lagje e rrugë. Me armiqtë eë mposhtur ose të nënshtruar, ajo nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kthehet nga vetja, ku dora e djathtë i vjedh të majtës, ku këmba e majtë godet të djathtën. “Si ka mundësi që zëvendësi i tij…?” “Jam plotësisht dakord, lidhur me ish-drejtorët dhe drejtorët e tu…”
Ëmbëlsia e frutave ka qenë e neveritshme, por kalbjen – këtë kalbje dua ta nuhas.
Vincent W.J. van Gerven Oei, publicist dhe studiues gjuhe*
Ministri Hoxha sulmon mediat: Konfirmoj me përgjegjësi se s’ka autor të dytë në vrasjen e Martinit