zoom

Lajme

Basha zbulon nëse e futi në PD Argita Malltezi: E takova për herë të parë në…

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dha një përgjigje për të gjithë ata që futjen e tij në partinë më të madhe opozitare në vend ia atribuojnë Argita Malltezit, vajzës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Basha e mohoi diçka të tillë, duke zbuluar se me Berishën kishte njohje të hershme, që datonin afro 10 vite para se të takonte për herë të parë Argita Malltezin.

Sipas Bashës, fjalët që qarkullojnë se ishte Argita Malltezi ajo që e futi në PD janë deklarata të stisura politike.

“Futja ime në PD nga Argita Malltezi, siç thonë, është një nga ato stigma të investuara fillimisht nga kundërshtari politik. Jo, nuk është e vërtetë. Gjithçka që kam thënë besoj demonstron të kundërtën. Në fakt, Argitën për herë të parë e kam takuar në Kosovë në verën e vitit 2000. Ndërkohë që Sali Berishën e njoh që nga 91-shi. Jo thjesht e njoh, por kemi pasur me dhjetëra raste, takime, kontakte, e njoh personalisht, pra nuk është e vërtetë. Por meqë e the, unë e di kur ka dalë dhe pse ka dalë. Kjo ka dalë në momentin kur unë jam futur në politikën aktive në Shqipëri dhe këta thonin nga erdhi ky, çfarë është ky.

Sepse atëherë si tani, kur futej një aktor i ri duhej të gjenin patjetër t’i vinin bishta, ta godisnin e kështu dhe pjesë e kësaj ishte dhe kjo, “e ka sjell vajza e Berishës”. Pra ka qenë diçka e lindur me një motiv politik. Dhe siç e kam unë që nuk merrem me këto gjëra, mund të jetë ndërtuar dhe të jetë përforcuar ideja që erdhi për këtë arsye. Mori një dimension tjetër në 2011-ën ku fushata e vetme që bëri Edi Rama pa sukses në përballjen për Bashkinë e Tiranës ishte që të më evidentonte me Sali Berishën. Pra, është pjesë e luftës politike”, tha Lulzim Basha në një podcast me Marsid Gupin dhe Ermal Peçin.