zoom

Aktualitet

Gjermania e kërkonte për mashtrim dhe organizatë kriminale, kapet në kufi kosovari

Policia e Shtetit njoftoi sot se ka arrestuar një të ri kosovar, që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për mashtrim dhe organizatë kriminale dhe tentonte të fshihej në vendin tonë.

Në pranga ka rënë 34-vjeçari nga Peja, që sipas autoriteteve policore, pritet të ekstradohet për në Kosovë. Ai u kap teksa hynte nga pika kufitare e Prushit.

“Tentoi të hynte në Shqipëri, ndërkohë që ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga autoritetet në Gjermani, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale në fushën e mashtrimit, arrestohet me qëllim ekstradimin, 34-vjeçari nga Kosova.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin, shtetasi i kërkuar ndërkombëtarisht:

-P. A., 34 vjeç, banues në Pejë”, tha policia.

Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Landshut i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “mashtimi”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të legjislacionit penal të Gjermanisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit. /ZOOM.AL/