zoom

Aktualitet

Trafiku i drogës me postë nga SHBA, kush janë 2 të arrestuarit. Skema dhe personi që priste pakon

Policia zbardh detaje nga operacioni i kapjes së 3,2 kg drogë kanabisi me përqindje të lartë THC-je dhe emrat e dy të rinjve të arrestuar, teksa po kërkohet për dërguesin dhe porositësin e mallit në Korçë.

Jurgest Luzi dyshohet se mori porosinë në postë, ndërsa ky i fundit ishte porositur nga Skënder Vata, organizator i kësaj skeme. Porosia ishte bërë në emër të një personi nga Korça, i cili po verifikohet.

“Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “California”. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar. Vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe 2 celularë”, tha policia.

Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga dy të dyshuarit, banues në Kamëz, u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/