zoom

Aktualitet

Përsëri trafik hashashi me THC nga SHBA në Shqipëri, 2 të arrestuar. Kapen 3,2 kg drogë (Detajet)

Një tjetër rast i trafikut me postë nga Amerika për në Shqipëri u godit ditën e sotme në Rinas, teksa dy persona u arrestuan si të dyshuar dhe u sekuestrua një sasi kanabisi me përqindje të lartë THC.

Burime zyrtare konfirmuan se finalizuan pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacionin policor të koduar “California”. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

U sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe 2 celularë.

“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në kuadër të procedimit penal me metoda speciale hetimore, nr. 3748 të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “California”.

Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit  S. V., 27 vjeç dhe J. L., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan përveç 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, edhe shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme. Një javë më parë u arrestua një i ri që po tërhiqte pakon me 1,6 kg hashash me THC nga Rinasi dhe u shpall në kërkim personi që dyshohet se e priste.

Kjo lëndë narkotike është më e preferuar mes të rinjve dhe njerëzve të fushës së artit e spektaklit, pasi rrit përqëndrimin e trurit dhe adrenalinën. /ZOOM.AL/