zoom

Aktualitet

Kanabisi me THC me postë nga SHBA-të, Gjykata e lë në burg. Sefa: Nuk e prisja unë, por…

Gjykata e Tiranës la sot në qeli të ndaluarin Ilir Sefa, i arrestuar pak ditë më parë për trafikim të lëndëve narkotike me postë nga SHBA-të.

I riu u prangos në flagrancë ndërsa merrte një pako me drogë e mbërritur nga Shtetet e Bashkuara me postë në Rinas, e brenda u gjetën 1,6 kg hashash i përpunuar dhe i cilësisë më të lartë.

Gjykata vlerësoi masën “arrest ne burg” ndaj të dyshuarit, edhe pse ai mohoi akuzën.

Avokati i Sefës, Erjon Kullolli, kërkoi masë më të butë sigurie si “arrest në shtëpi” ose “burg me afat”, për t’i dhënë kohë Prokurorisë që të provojë ose jo dijeninë e të arrestuarit mbi drogën. 27-vjeçari iu qëndroi deklarimeve të dhëna pas arrestimit, duke mos dhënë shpjegime të tjera në gjykatën penale. “Drogën nuk e prisja unë”, ka thënë ai.

“Më tha një djalë që e kam në lagje, me emrin Fabian të shkoja ta merrja tek posta. Nuk e dija çfarë kishte brenda”, ka pretenduar Sefa në deklarimet paraprake.

Fabian L. që përmend Sefa, është shpallur në kërkim policor. Policia u sinjalizua nga posta ku kishte mbërritur porosia, dhe mbajti në survejim se kush do të ishte marrësi. Droga e sekuestruar kap peshën e 1 kg e 600 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC dhe me çmim të konsiderueshëm në treg, pasi është e cilësisë më të mirë në treg. /ZOOM.AL/