Aplikacion
“Kathimerini”, “Himara.gr”, “Protothema” kanë shkruar për prangosjen e Goros, duke u mbështetur në njoftimin zyrtar të SPAK dhe akuzat e ngritura ndaj tij.
Por “Protothema” bën edhe një analizë mes rreshtash, përtej reagimit zyrtar të SPAK, duke e lidhur arrestimin e Jorgo Goros me burgosjen e Fredi Belerit dhe marrëdhëniet e tensionuara mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Media greke shkruan se teksa Goro refuzonte të jepte dorëheqjen, arrestimi i tij nuk mund të jetë i rastësishëm sepse kjo lëvizje i lehtëson punë kryeministrit Edi Rama.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale është arrestuar kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Ky është kryebashkiaku i emëruar nga kryeministri shqiptar Edi Rama.
Arrestimi i Jorgo Goros vjen pas shumë ankesave për “Shpërdorim detyre” dhe “Tjetërsim prone”.
Mirëpo, të bën përshtypje fakti që ky zhvillim, me arrestimin e Goros, i cili deri më tani nuk kishte pranuar të jepte dorëheqjen, i lehtëson makinacionet e Ramës, ndërkohë që gjykata e Shqipërisë kishte theksuar se është i paligjshëm qëndrimi i tij në pozicionin e kryetarit të bashkisë. Në të njëjtën kohë, edhe Athina po reagonte për qëndrimin e Goros në postin e kryetarit të bashkisë edhe pse i kishte humbur zgjedhjet.
Ndoshta momenti i arrestimit nuk është i rastësishëm, pasi pak ditë më parë Rama emëroi si prefekt të qarkut të Vlorës ish-deputetin minoritar të Partisë Socialiste Tavo, i cili në këtë mënyrë ka edhe mbikëqyrjen dhe menaxhimin e qytetit të Himarës.
“Bëhet me dije se arrestimet lidhen me statusin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme dhe ish-ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Olta Xhaçka.
Nga ana tjetër, Mihallaq Bonjaku, pretendonte se i ishte vjedhur prona ose më saktë një pjesë e pronës, për të cilën Artan Gaçi ishte shpallur investitor strategjik dhe kishte nisur ndërtimin e një resorti luksoz. Siç shprehet ai, prona e tij ishte e rrethuar dhe nuk u lejua të hynte.
Goro është arrestuar në një lokal në Dhërmi, ndërsa në momentin e arrestimit ka qenë edhe një prokuror,” shkruan Protothema.