Aplikacion
Vendosja në pranga e kryebashkiakut socialist ka ardhur pas një kallëzimi në Prokurorinë e Posaçme nga kreu i zgjedhur i Bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i dënuar me burg për vjedhje votash.
Mësohet se në pranga përveç Jorgo Goros ka rënë edhe shtetasi Mihallaq Bonjaku, ndërsa tre të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Arrestimet lidhen me statusin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme Olta Xhaçka.
Bëhet fjalë për një pronë 5 512 m2 në zonën e lakmuar bregdetare të fshatit Gjilek në Dhërmi që u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo sipërfaqe toke rezulton të jetë pjesë e tokës që Artan Gaçi ka fituar statusin e investitorit dhe po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.
Por cila është skema që u përdor për tjetërsimin e pronës
I pari që trokiti në dyert e Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2021, ishte Mihallaq Bonjaku, i cili pretendonte se i ishte vjedhur prona, ose më saktë një pjesë të pronës mbi të cilën Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme Olta Xhaçka, ishte shpallur investitor strategjik dhe kishte nisur ndërtimin e resortit luksoz. Ai tregon se prona e tij ishte rrethuar dhe nuk lejohej të hynte në të.
“Ditët e fundit rrethimi im është prishur pjesërisht dhe brenda sipërfaqes së rrethuar është krijuar një rrethim i ri. Lidhur mbi mënyrën e fitimit të pronësisë si dhe titullit të pronësisë së shtetasit Foto Mëhilli, pretendimi im është se akti i marrjes së tokës në pronësi me nr.9677 që bën fjalë për një sipërfaqe prej 5 512 m2 të familjes Mëhilli, është falsifikuar. Nga krahasimi i dokumentacionit të listës së përfituesve të tokës bujqësore në fshatin Gjilek, Dhërmi, shtetasi Foto Mëhilli ka përfituar tokë në pronësi me sipërfaqe totale prej 1200 m2, e cila për më tepër ka vendodhje tjetër me atë që ai pretendon sot. Për këtë arsye kam depozituar ndër të tjera edhe dokumentin plan rilevimi, datë hartimi muaji shkurt 2019, ndërsa resorti luksoz, nisi të marrë formë, prokuoria e Vlorës, u mjaftua vetëm me marrjen në pyetje të Mihallaq Bonjakut dhe sekuestrimin e disa dokumentave në institucione, pa mundur të zbulojë përgjegjësit e falsifikimit të kësaj prone”, ka deklaruar Mihallaq Bonjaku në maj të vitit 2021.
Nga ana tjetër Fredi Beleri kallëzoi në SPAK nga brenda qelisë, biznesmenin Artan Gaçi, bashkëshorten e tij Olta Xhacka dhe kryetarin në detyrë të Bashkisë së Himarës Jorgo Goro.
Fredi Beleri ka ngritur pretendimet se prona në të cilën ish deputeti Artan Gaçi do ndërtonte hotelin luksoz në fshatin Gjilek në Dhërmi, është përfituar përmes një AMTP-je (Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi), të falsifikuar.
“Bashkia Himarë dhe konkretisht Kryetari i Bashkisë Jorgo Goro kanë përcjellë për regjistrim në ish ZVRPP Vlorë një AMTP në emër të shtetasit Foto Pavllo Mëhilli me vendndodhje në fshatin Gjilek Bashkia Himarë.
Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mëhilli figuron e ndarë një parcele në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me siperfaqe 5512 m2 e ndare si tokë truall. Kjo tokë nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht ndarja e sipërfaqeve toke truall”, thuhet në kallëzimin penal nga Fredi Beleri, raporton emisioni “Shënjestër”.
“Kryetari i Bashkisë Himarë në asnjë lloj mënyre nuk mund të dërgonte për regjistrim një sipërfaqe toke jashtë fondit të tokës bujqësore dhe për më tepër që nr kadastral i parcelës i përcaktuar në AMTP, për sipërfaqen 5512 m2, konkretisht me nr 36/36/1 nuk përputhen me asnjë nga nr kadastrale të hartës kadastrale, në bazë të të cilës është bëreë ndarja e tokës bujqësore dhe që pasqyron ngastrat dhe fondin e tokës bujqësore të kooperativës së fshatit Gjilek-Dhërmi në kohë, hartë që Bashkia Himarë e posedon. Dërgimi i kësaj AMTP per regjistrim me procedure te veçantë sipas përcaktimeve të bëra ne shkresën përcjellëse dërguar ne ZVRPP Vlore është haptazi ne kundërshtim me ligjin”, thuhet më tej në kallëzimin penal të Fredi Belerit.
Këtu duket se fillon edhe implikimi i Artan Gaçit në këtë aferë, pasi me tu regjistruar sipërfaqja e tokës prej 5 512 m2 në emër të shtetasit Stavri Mëhilli, kjo familje ia kalon tokën në pronësi biznesmenit Gaçi, ndërkohë që Fredi Beleri pretendon në kallëzimin e tij se firma autentike në AMTP-në e vitit 1994, që ka shërbyer për ndarjen e tokave në fshat, dhe pikërisht për këtë pronë bujqësore, është e falsifikuar.
“Të gjitha veprimet e kundraligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë pasi është blerë është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaëi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i Ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme. Edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj.”
Hetimet e SPAK, zbuluan detaje të rënda të përfshirjes së zyrtarëve shtetërore në tjetërsimin e sipërfaqes së tokës në një nga zonat më të lakmuara në bregdetin e jugut dhe vendosi sekuestrimin e saj. Sipas gjetjeve të kryera nga SPAK, rezultoi se pasuria e shitur nga shtetasi Stavri Mëhilli, kryer ndaj personit Artan Gaçi, ishte kryer nëpërmjet një akti të rremë AMTP-je. Që të provonte pretendimet e ngritura nga Mihallaq Bonjaku e më vonë nga Fredi Beleri, SPAK me urgjencë sekuestrpo pronat pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë.
“Në këtë drejtori janë këqyrur dhe një seri dokumentesh të fotokopjuara, lidhur me pasqyrimet e gjendjes juridike/transaksionet, etj, që kanë lidhje me pasurinë nga buron AMTP-ja lëshuar në emër të shtetasit Foto Mëhilli. Rezulton se 12 gusht 2020 Këshilli i Qarkut Vlorë, ka dërguar pranë ASHK-së praktikat e krijuara nga drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës.
Akti në fjalë përmban listën emërore të shtetasve për të cilën është dërguar një kopje e formularit nr.6, i cili gjendet sipas inventarit fizik në DAMT (Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës), për fshatin Gjilek, me numër rendor nga 1 deri në 248.
Në numrin rendor 142 ndodhet emri i Foto Pavllo Mëhilli, dhe rubrika shënime, ka shënimin “pa vulë”. Bashkangjitur shkresës ndodhur kopje e formularit nr.6 (ky formular përmban cdo të dhënë për pronën). Nga përmbajtja e kësaj kopje e formularit nr.6 nuk rezulton të jetë pasqyruar ndonjë pasuri tjetër përvec asaj të përshkruar më sipër, përfshirë këtu pasurinë nr.36/36/1 të llojit truall me sipërfaqe 5512 m2 ndodhur në vendin e quajtur Perivolo, Gjilek, Dhërmi, referuar kopjen e AMTP-së vënë në dispozicion nga kallëzuesi.”, thuhet në dosjen hetimore.