Aplikacion
Në mbledhjen e Asamblesë në Durrës, nga hoteli i Dulakut, Rama doli hapur në mbrojtje të dyshes Kastrati-Dulaku duke quajtur absurde sekuestrimin e Portit të Limionit nga SPAK, ndonëse SPAK ka gjetur se prona e ushtrisë i është dhënë kësaj kompanie në shkelje të ligjit.
“Ashtu sikundër më rezulton po, që ka ende prona e asete të degraduara ushtarake, të cilat nuk do t’i duhen kurrë një ushtrie të Natos si e jona dhe janë një gjynah i madh që nuk futen në shërbim të ekonomisë së turizmit e të agroturizmit, po rrinë si fantazma sa majë maleve e sa afër deteve tona. Madje absurdi arrin deri në pikën ku merret peng me sekuestro në emër të Natos, një investim me rëndësi strategjike rreth 200 milionë euro në limionin e Sarandës, i cili qysh në kohë të Zogut ka pasur plan zhvillimi për marinë turistike, ndërkohë që prej dy a tre vjetësh rri i bllokuar se po hetohet mënyra se si është lidhur kontrata” u shpreh kryeministri.
Ai tha se hetimit i SPAK, në asnjë moment nuk duhet të bllokojë investimin e privatit dhe se kjo tregon “mendësinë e vjetër të hetuesve”.
“Nuk dua të komentoj assesi arsyet e atij hetimi, s’është puna ime, po ama nuk duhet një diplomë në juridik për të kuptuar se të hetosh si u lidh një kontratë e shtetit me një sipërmarrje private, s’të jep asnjë të drejtë ta bllokosh investimin e asaj sipërmarrjeje, aq më tepër ta bësh këtë në emër të Natos a të sigurisë kombëtare, duke e bërë Naton të qeshë dhe duke ndërhyrë në kompetencën e një pushteti tjetër të pavarur, i cili është sovran në vendimmarrjet e veta për sigurinë kombëtare. Ky është një arbitraritet i hapur, që mund t’i kushtonte shtetit qimet e kokës në rast se investitorët do ta çonin në arbitrazh, por fakti është që burimi i këtij arbitrariteti shkon shumë përtej horizontit të një hetuesi dhe lidhet me një mendësi të vjetër e të gabuar për mbrojtjen e kohëve te sotme”, përfundoi kreu i qeverisë.
Çështja e zonës së Limionit përfshin zv.kryeministren Belinda Balluku, presidentin Bajram Begaj dhe ish -ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Historia nis në 2020-n, kur qeveria vendosi të japë portin e Limionit, një bazë ushtarake, me qira për dyshen Dulaku – Kastrati, të bashkuar në shoqërinë “Marina Bay Saranda” shpk. Projekti synonte ndërtimin e një kompleksi vilash, hotelesh dhe port jahtesh.
GJKKO atëherë arsyetoi se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare.
Kallëzimi në SPAK për këtë koncesion u bë nga ish-Zv.Komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, me argumentin se dhënia me qera është bërë në shkelje të ligjit, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Sipas tij, në SPAK është marrë disa herë në pyetje presidenti Bajram Begaj, i cili atëherë shërbente si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe Belinda Balluku si ministre e Infrastrukturës dhe Olta Xhaçka, pasi në kohën e dhënies së koncesionit ajo ishte Ministre e Mbrojtjes./Zoom.al