Aplikacion
Kur pak ditë na ndajnë nga publikimi zyrtar, Kombëtarja do të luajë në muajin mars, me Kilin në datën 22, ndeshje që do të zhvillohet në Parma të Italisë, dhe tri ditë më vonë, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Stokholmit, për t’u përballur me Suedinë.
Trajneri brazilian ka planifikuar që të bëjë publike ditën e premte listën që mund të përfshijë deri në 26 lojtarë dhe disa që mund të jenë në listën e pritjes. Ndërkohë, të shtunën një ditë më vonë, Silvinjo do të dalë në konferencën për shtyp me gazetarët. Deri tani mësohet se trajneri u ka komunikuar më shumë se 26 lojtarëve një ftesë paraprake, por të premte do të vendoset çdo gjë.
Nisur nga zhvillimet e fundit me lojtarët shqiptarë, rikthimi më i bujshëm pritet të jetë ai i Rei Manajt. “Shpërthimi” që sulmuesi ka bërë në kampionatin turk duke shënuar 15 gola, ka bërë që Silvinjo të kthejë sytë nga lushnjari që i mungon ekipit kombëtar prej dy vitesh, pikërisht në dy miqësoret e marsit 2022, me Spanjën dhe Gjeorgjinë, kur në drejtim ishte Edi Reja. Megjithatë, një ftesë mëse e merituar për Manajn, që pritet të shihet sesi do të shfaqet në Kombëtare.
Po ashtu një çështje tjetër është edhe ajo e Armando Brojës, i cili nuk është se po kalon momente të mira në Angli, duke pasur disi edhe fatin kundër sepse konkurrenti i tij te Fullhemi po shënon rregullisht, çka ka sjellë edhe aktivizimin e ulët për sulmuesin kuqezi. Gjithsesi, ai pritet të grumbullohet nga Silvinjo për këto dy miqësore. Reparti sulmues disi i mbipopulluar, dilema e trajnerit nuk do të jetë grumbullimi, por se kush do të luajë më përpara në këto miqësore, duke kujtuar edhe emra si: Cikalleshi, Daku, Muja, Asani, Seferi, Uzuni, Muçi, Bajrami apo Çuni.
Pas publikimit të listës dhe mbarimit të angazhimeve me klubet e tyre në këtë fundjavë, ekipi kombëtar do të nisë grumbullimin ditën e hënë në datën 18 mars, ndërkohë që do të zhvillojë tri seanca stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, aty ku prej më shumë se një viti vijon përgatitjet. Një ditë përpara ndeshjes me Kilin, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Parmës, për të zhvilluar edhe një seancë të lehtë stërvitore në “Ennio Tardini”, me përballjen që do të jetë mbrëmjen e së premtes, në po të njëjtin stadium.
Pas ndeshjes, ekipi nuk do të kthehet në Shqipëri, por do të udhëtojë direkt për në Suedi, ku do të vijojë përgatitjet për miqësoren e datën 25 me këta të fundit në “Friends Arena”, duke nisur nga ora 19:00. /ZOOM.AL/
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në 10 vjet përballë ndryshimeve klimatike