zoom

Aktualitet

Shoqatat e gazetarëve reagojnë për sulmet ndaj gazetares Ola Xama: Fushatë denigruese e qëllimshme

Shoqatat e gazetarëve në Shqipëri kanë reaguar në mbrojtje të gazetares Ola Xama, pas një fushate sulmesh që ka nisur prej disa ditësh kundër saj.

Instituti i Mediave Online e Sociale (IMOS Albania) dhe Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” (APJ Albania) shprehen se  sulmet ndaj Xamës janë pjesë e një fushatë e qëllimshme denigruese e kërcënuese, të nisura pas publikimit të një shkrimi investigativ në Reporter.al për inceneratorin e Tiranës, dhe synojnë ta pengojnë atë në investigimin e mëtejshëm të kësaj afere korruptive.

Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” (APJ Albania) dhe Instituti i Mediave Online e Sociale (IMOS Albania) dënojnë sulmet e nisura prej disa ditësh në disa media online, kundër gazetares Ola Xama, që dukshëm kanë për qëllim intimidimin e saj dhe denigrimin e figurës së saj. APJ Albania dhe IMOS Albania konsiderojnë se kjo është një fushatë e qëllimshme denigruese e kërcënuese, për shkak të detyrës, si pasojë e shkrimeve investiguese të gazetares Ola Xama, përmes të cilave ajo ka ekspozuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë në afera të rënda korruptive. Sulmet kundër gazetares kanë nisur menjëherë pas një shkrimi të publikuar në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN) përmes Reporter.al për dosjen e inceneratorit të Tiranës, një aferë kjo që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) dhe që ka çuar në burg disa zyrtarë nën akuzën për korrupsion. Fushata e sulmeve është intensifikuar ditët e fundit me publikimin e materialeve shantazhuese e kërcënuese kundër saj dhe familjarëve të saj të afërt, me qëllimin që të intimidojnë gazetaren, që të ndërpresë investigimet e saj.

APJ Albania dhe IMOS Albania bashkohen me organizatat e tjera të medias që kanë reaguar, dhe u bëjnë thirrje gazetarëve, mediave e organizatave të tjera të mediave apo të të drejtave të njeriut, që të kërkojnë së bashku , ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve të tilla, të cilat jo vetëm dëmtojnë gazetarinë dhe lirinë e shprehjes, por vënë në rrezik edhe sigurinë e gazetares.

Edhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, një aleancë organizatash në Ballkan, ka shprehur shqetësim dhe zhgënjim për rastin, duke e etiketuar po ashtu si një fushatë denigruese dhe shpifëse kundër gazetares Xama.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shpreh shqetësim të thellë dhe zhgënjim mbi vijimin dhe intensifikimin e fushatës së shpifjeve kundër gazetares Ola Xama, një gazetare investigative në Shqipëri”, shkruhet në deklaratën e shpërndarë të enjte

Pas publikimit të shkrimit të gazetares Ola Xama në Reporter.al (BIRN), kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shkroi gazetares asaj në Whatsapp, duke iu drejtuar si “vrasëse me pagesë” dhe “militante”. Mesazhi i kryebashkiakut ndaj Xamës u riprodhua vazhdimisht nga disa media online.

Vetë gazetarja njoftoi pak ditë më parë se kishte depozituar një kallëzim për mediat që e kanë sulmuar atë, duke nënvizuar se këto sulme vinin pikërisht për shkak të shkrimeve të saj për inceneratorët dhe se ato ishin të porositura.

Disa ditë më parë depozitova një padi civile për portalin “Prapaskena” dhe sot sapo firmosa një tjetër padi për “Gazetën Dita”. Të dy këto kanale mediatike kanë shpifur duke më quajtuar gazetare të paguar, vrasëse me pagesë dhe epitete të tjera të pavërtetë… Në historinë e luftës së njerzve që kanë vjedhur te inceneratori dhe kanë korruptuar media e gazetarë, unë u bëra dëmi koletaral… Ata që ia njohin pazaret, e kuptojnë shumë mirë kur shohin që të dy frontet që zihen për inceneratorët më kanë quajtur të paguar. I them se kush shkruan dhe porosit shkrime, po lodhet kot! Integriteti nuk blihet me para, por fitohet.

Gazetarja tha se këto sulme nuk e frikësonin dhe  intimidonin dhe paralajmëroi se do të vazhdojë të punojë me integritet. Ndërsa shoqatat e gazetarëve njoftuan se do të vënë në dijeni edhe institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare, të cilat janë të angazhuara në mbrojtje të gazetarëve dhe të lirisë së shtypit e të shprehjes./Zoom.al