zoom

Aktualitet

Varshava e kishte dënuar me 13 vite burg për organizatë kriminale, polaku kapet i fshehur në Kavajë

Një 42-vjeçar polak që po fshihej prej kohësh në vendin tonë, ka rënë një prangat e policisë së Kavajës në Qerret, pasi rezultonte i dënuar me 13 vite burg, si pjesë e një grupi kriminal.

Gjatë operacionit, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, sipas burimeve zyrtare, me qëllim për t’u ekstraduar në Poloni, i shumëkërkuari Sebastian Bijak.

“Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Varshavës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 4”. Gjatë operacionit, në Qerret, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Poloni, shtetasi polak, i shpallur në kërkim ndërkombëtar Sebastian Bijak, 42 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Sipas dosjes hetimore, rezulton se Gjykata e Varshavës, e ka dënuar këtë shtetas me 13 vjet burgim, për krime në fushat e armëmbajtjes pa leje, mashtrimit dhe posedimit të sendeve të vjedhura, si dhe për pjesëmarrje në grup kriminal, vepra këto të dënuara sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë.

Interpol Tirana dhe Interpol Varshava po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e të ndaluarit dhe do pritet masa e gjykatës. /ZOOM.AL/