Mua më tmerron kur shumë prefesorë kanë tmerr nga teknologjia në shkollë.
Lëre se çfarë po bëjnë në Shqipëri, por edhe në Evropë.
Më raftë pika ! – them me vete – shih sa është dobësuar zonja duke u merakosur se teknologjia nuk po e le atë dhe zotërinë të jenë prefesorë të zotë!
Po e ndajnë shkollën nga teknologjia a thua se shkolla është sot si në kohën e Sokratit kur ai dilte hijeve të Athinës dhe u fliste çunave të tij dhe ata e ngulisnin në kokë atë që ai u thoshte…
Ndalim telefoni celular në shkollë, shikoni si mos ndonjë student hap celularin, vozit me celularin e tij si ndonjë hajdut në YouTube, se mos ka ndonjë Chat GTP në përdorim.
Kjo është kopjeeeeee, kopjeeeee!
Po mirë po ta përdorësh teknologjinë për të prodhuar dije, për të transmetuar dije, a nuk është dije?
Përdorimi i teknologjisë është dije! Përndryshe e keni futur shkollën në epokën e para Galileit dhe Xhordano Brunos! Digjeni teknologjinë!
Mbidhni të gjithë telefonat e studentëve ditën e provimit dhe digjini në bulevard!
O pikaaaaaaa!
Prefesori që jep dije të stërvjetra, që jep teza provimi përshkruese, sigurisht ka frikë që studentët të përdorin teknologjinë. Se ja riprodhojnë leksionin e tij të qelbur, të mykur prej vitesh si turshi në kavanos me kapak të çarë!
Unë jam që provimet të bëhen me libra dhe fletore hapur, me të drejtën e studentit për të përdorur të gjitha teknologjitë e mundshme, madje provime edhe me përgjigje kolektive sipas grupeve dhe projekteve të përbashkëta në grupe studentësh.
Prishi teknologjia shkollën?
Jo,jo shkollën e prishin prefesorët dogmatikë që nuk dinë të bëjnë as mësim dhe as të japin pyetje për të matur nivelin e dijeve të studentëve që të mos jenë pllaka gramafoni.
Teknologjia nuk ka nxjerrë jashtë loje shkollën, por ka nxjerrë jashtë mode pedagogun dogmatik papagall.
Ky po shkatërron edhe shkollën edhe marrëdhëniet e edukimit me teknologjinë.
Studenti dhe nxënësi duhen mësuar ta përdorin teknologjinë për ta kërkuar dijen, aplikuar dijen, zgjidhur probleme me anë të dijeve, ta zhvillojnë në detaje dijen, të kërkojnë vetë dije me anë të teknologjisë.
Unë njoh studentë pak dembelë që më thonë: Aman të lutem jo provim me libra të hapur dhe me përdorim teknologjie! Nuk i përballojmë dot! Na i bëj ashtu riprodhuese ta themi vjershën tonë për Partinë!
Por, duhet një reformë e plotë e pedagogjisë që të integrohet teknologjia në shkollë.