zoom

Aktualitet

Po shkëmbenin 16 kg drogë në parking, “Lokacioni” prangos 4 të dyshuarit e grupit

Katër persona që dyshohen si pjesë e një grupi kriminal u arrestuan sot gjatë operacionit të koduar “Lokacioni”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në DVP Tiranë.

Ndërsa u kapën në flagrancë duke shkëmbyer 16.3 kg lëndë narkotike kanabis, mes të cilave 16.2 kg ishte lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 90 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, shuma parash dhe 5 celularë.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Lokacioni”.

Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve D. D., 32 vjeç, H. Z., 23 vjeç, V. K., 23 vjeç dhe H. M., 23 vjeç”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta shtetas janë kapur në flagrancë, në parkingun e një qendre tregtare në periferi të Tiranës, duke shkëmbyer 2 qese plastike brenda të cilave kishte lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 16.2 kg.

“Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit H. M., në Korçë, shërbimet e DVP Korçë gjetën dhe sekuestruan, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.

Punohet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, sqaruan burimet zyrtare.

Dosja penale për rastin i kaloi Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme, me akuzën e mbajtjes dhe prodhimit të drogës, në bashkëpunim. /ZOOM.AL/