Aplikacion
Kuvendi i ka konsideruar akuzat si “sajime” të Foltores dhe nuk i përgjigjen realitetit.
“Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, zëri kryesor, 829.700.000 lekë, janë pagat e deputetëve dhe të administratës. Mos vallë nuk duhet të paguhen deputetët dhe administrata?”, shkruhet në reagimin e Kuvendit.
Institucioni deklaroi se burimet financiare të Kuvendit të Shqipërisë janë në dispozicion të të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie partiake, duke hartuar edhe një listë të shpenzimeve për të cilat janë përdorur edhe paratë
Reagimi i plotë:
Në lidhje me deklaratën e sotme të Foltores dhe në emër të transparencës para qytetarëve, publikut dhe medias, Kuvendi i Shqipërisë sqaron si më poshtë:
Planifikimi, detajimi dhe përdorimi i burimeve financiare të Kuvendit të Shqipërisë, sipas programeve buxhetore, vendoset dhe miratohet nga Byroja e Kuvendit, organ në të cilin bëjnë pjesë edhe deputetët e opozitës. Pas miratimit në Byro, bëhet raportim 4-mujor i realizimit të treguesve të buxhetit, të cilat janë publike.
Mënyra e përdorimit të burimeve financiare respekton rigorozisht rregullat dhe procedurat për shpenzimin e fondeve të buxhetit të shtetit dhe publikohen në faqen e Kuvendit. Fondet e Kuvendit të Shqipërisë janë pjesë e buxhetit të shtetit dhe përdorimi i tyre rregullohet nëpërmjet prokurimit publik.
Deklarata e sotme e Foltores është e mbushur me të pavërteta e sajime, të cilat nuk i përgjigjen realitetit. Shpenzimet për të cilat bëhet fjalë në deklaratën e Foltores janë shpenzime për funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe aspak për shpenzime luksi.
Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, zëri kryesor, 829.700.000 lekë, janë pagat e deputetëve dhe të administratës. Mos vallë nuk duhet të paguhen deputetët dhe administrata?
Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet operative, 479.556.000 lekë, të domosdoshme për mbështetjen e veprimtarive parlamentare dhe kryerjen e funksioneve të Kuvendit. Mos vallë duhet të ndërpritet veprimtaria e Kuvendit të Shqipërisë?
Në ato që Deklarata e Foltores i quan shpenzime luksi, bëjnë pjesë shpenzimet për udhëtime jashtë vendit të delegacioneve të Kuvendit, 58.391.411 lekë, në kuadër të detyrimeve për të marrë pjesë dhe kontribuar në veprimtaritë e forumeve ndërkombëtare ku jemi anëtarë. Asnjë deputet i Kuvendit, në maxhorancë a opozitë, nuk është penguar të marrë pjesë në veprimtari ndërkombëtare. Të mos zhvillojmë diplomaci parlamentare për të mbrojtur interesat kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilën Kuvendi gjatë kësaj legjislature është investuar në mënyrë të shtuar?
Për transparencë , informojmë publikun se buxheti i Kuvendit për vitin 2023 është: 1.513.843.540 leke nga të cilat;
Për pagat: 829.700.000 lekë.
Sigurimet shoqërore: 112.384.000 lekë.
Shpenzimet operative: 479.556.000 lekë.
Kuota parlamentare: 15.090.000 lekë.
Fondi i veçantë: 2.113.540 lekë.
Shpenzime kapitale: 75.000.000 lekë.
Realizimi si 10-mujor: 1.085.948.857 lekë.
Së fundi, nënvizojmë se burimet financiare të Kuvendit të Shqipërisë janë në dispozicion të të gjithë deputetëve, pa dallim përkatësie partiake
Stadiumit 35 mln euro i prishet ekrani! Biletat deri ne 300€, por s’kane lekë as për një ekran