zoom

Aktualitet

30 minuta shi përmbytin Tiranën, bllokojnë trafikun dhe shpërthejnë pusetat

Tirana është prekur sot nga reshjet e shiut.

Vetëm 30 minuta reshje të dendura shiu kanë mjaftuar për ta kthyer Tiranën në një kaos të vërtetë.

Kryeqyteti u përfshi sot jo më shumë se 30 minuta nga disa reshje shiu që janë normale për stinën në të cilën ndodhemi, por për infrastrukturën e Tiranës kjo ka rezultuar në një kaos të vërtetë, duke treguar kështu edhe gjendjen në të cilën ndodhet vendi.

Kudo ka puseta të shpërthyera nga vërshimi i ujit, duke bërë kështu që bashkë me ujin të përzihen edhe kanalizimet e ujërave të zeza, gjë e cila tregon se tubacionet janë të bllokuara e prej kohësh nuk vihet dorë. Në një vend ku ndërtimet pa leje kanë mbirë si kërpudhat dhe infrastruktura minimale nuk ekziston. Ndërkohë që shpenzohen pafund para nga buxheti i Bashkisë, infrastruktura është lënë të amortizohet, e qytetarët përballen me këto sfida. Edhe pse paguajnë taksa, mirëmbajtja e qytetit është zero.

Lumi lana ka dalë nga shtrati duke përmbytur disa rrugë të rëndësishme në qytet siç është zona tek “ Pallati me shigjeta”.


Duket se një situatë e tillë është ndikuar edhe për shkak të mbindërtimit dhe ngushtimit të hapësirave në kryeqytet.

Kudo në qytet ka një shpërthim të plehrave që mesa duket uji i rrëmbyeshëm i ka marrë me vete. Po qarkullojnë video se si njerëzit në autobusët e Tiranës mbajnë çadrat hapur sepse pikojnë tavanët. Për të mos folur për trafikun kilometrik që është krijuar në çdo rrugë, përfshirë këtu edhe rrugicat e lagjeve.

Ndërsa kryeqyteti i vendit është përfshirë nga një kaos i tillë, ku supozohet se zhvillimi është shumë më i madh se në zonat rurale, nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë në këto vende.