Aplikacion
Por përtej njoftimit të QKB-së, panorama e kompanisë turko-shqiptare është shumë më e errët.
Zoom.al ka mësuar se në fakt, kompania e shitur si një sukses gjigand i qeverisë Rama, është në prag të falimentimit dhe kjo për shkak të shpenzimeve të pakontrolluara dhe disa operacioneve të fshehta për të fshehur shpenzimet me avionin charter që përdor kryeministri i vendit.
Burimet e Zoom.al raportojnë se kompania nuk ka më likuiditet qarkullues për të operuar dhe për këtë arsye ka prekur kapitalin e investitorëve, të cilët janë Turkish Airlines me 49 %, biznesmeni shqiptar Sinan Idrizi me 41 % dhe shteti shqiptar me 10 % nëpërmjet kompanisë Albcontrol.
Publikimi i faktit se kompania ka prekur kapitalin e investitorëve ka shkaktuar debate brenda drejtuesve të kompanisë, të cilët kanë nisur një gjueti shtrigash për të gjetur personat që e kanë nxjerrë këtë informacion.
Tërheqja e vëmendjes nga këto veprime, por edhe publikimi i disa të dhënave që flasin për shpenzime marramendëse të drejtuesve, ka detyruar CEO-n e Air Albania, turkun Sinal Dilek, të fshijë të gjitha postimet nga rrjetet sociale.
Zoom.al ka monitoruar veprimtarinë e CEO-s turk dhe i ka ruajtur shumë nga postimet e tij.
Në njërin prej tyre ai shkruan: “Pritjuani kokat pa gdhirë…”. Kjo është një pjesë e thirrjes që Sinan Dilek ka bërë në Facebook, (siç duket nga përkthimi automatik nga turqishtja në anglisht) dhe që tani e ka fshirë, por Zoom.al e disponon atë në versionin origjinal.
4 vite pa bilance
Air Albania po fsheh prej 4 vjetësh bilancet e saj. Ajo ka dorëzuar në QKB vetëm bilancin e vitit 2018, kur nuk kishte akoma aktivitet dhe raportoi humbje me 120 mln lekë. Nuk është në QKB as bilanci i 2019-s, as 2020-s dhe 2021-shit, afati i të cilëve ka përfunduar me kohë.
Bilanci i vitit 2022 ka kohë të dorëzohet deri në 15 shtator, por ka pak gjasë që të arrijë dritën e publikimit.
Air Albania zë 12% të tregut të fluturimeve sipas numrit të pasagjerëve, duke u renditur e dyta, pas Wizz Air, me 42%, duke bërë të qartë se fitimet janë marramendëse, ndonëse pa shifra nominale.
Air Albania pas avionit charter të Ramës
Zoom.al ka raportuar se një avion që është pjesë e flotës së Air Albania përdoret nga kryeministri Edi Rama. Bëhet fjalë për avionin e pagëzuar me emrin “Ismaili”, i matrikulluar si TC ANA Airbus A319-100 ACJ.
Ky avion luksoz, me vlerë aktuale prej 40 milionë eurosh, ka qenë pjesë e qeverisë turke. Prej më shumë se 3 vjetësh ai përdoret nga kryeministri Edi Rama, si avion privat. Mënyra se si ka kaluar në përdorim të kreut të qeverisë shqiptare është e dyshimtë. Asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka pranuar deri sot të bëjë transparencën.
Nuk dihet as se si paguhen faturat e përdorimit të avionit, i cili kushton afro 15 mijë dollarë për çdo orë fluturim. Zoom.al ka mësuar se pagesat bëhen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, por ky institucion ka refuzuar kërkesat tona për transparencë.
Pjesë e fshehjes së transaksioneve është bërë dhe Air Albania, e cila gjithashtu nuk ka pranuar të bëjë transparencë mbi këtë rast.
Opozita hesht
Opozita shqiptare bëri disa akuza publike për shpenzimet marramendëse të kryeministrit Rama me avionin “Ismaili”, por ajo nuk ndërmori asnjëherë hapa ligjorë apo legjislativë për të hedhur dritë mbi këtë aferë.
Lulzim Basha u mjaftua me disa akuza publike dhe nuk i shkoi asnjëherë çështjes në thelb, duke ngritur dyshime serioze se ai më shumë e kompromentoi investigimin e Zoom.al sesa e ndihmoi atë.
Më vonë Sali Berisha u mjaftua duke publikuar një shifër prej 22 milionë dollarësh si shpenzime të kryeministrit Rama me avionin në më shume se 137 fluturime, por ai nuk kërkoi kurrë ngritjen e një komisioni hetimor për të hedhur dritë mbi këto shpenzime apo mbi mënyrën se si ky avion ka përfunduar në duart e kreut të qeverisë shqiptare.
Sinani shqiptar i Air Albania
Air Albania, themeluar në 2018-n është një kompani turko-shqiptare. Pronari shqiptar është Sinan Idrizi.
Është i njëjti që qëndron pas klubit shqiptar të futbollit, Flamurtari, ndonëse burimi i të ardhurave të tij mbetet i dyshimtë.
Nga kërkimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk rezulton që që ai të ketë pasur aktivitete të mëdha biznesi. Idrizi ka po një lidhje tjetër me Turqinë, përveç Air Albania.
Një vit më parë, në një artikull të Zoom.al shkruhej se Sinan Idrizi është i akuzuar për mashtrim me vlerën e 3.5 milionë eurove në Turqi. Adnan Polat, një biznesmen i njohur në Turqi, ish -president i ekipit të futbollit Galatasaray, e akuzoi Idrizin se i kishte marrë paratë duke i premtuar blerjen e kompanisë së markimit të karburanteve, GFI Albania.
Prokuroria e Stambollit kërkoi 3.5 deri në 10 vjet burg. Por gjykata vendosi ta lirojë nga akuzat. Disa media në Turqi e Shqipëri raportuan se në vendimin e gjykatës kishte ndikuar ndërhyrja e vetë presidentit turk, Erdogan.
Megjithatë mediat në Shqipëri zbuluan se premtimi për të blerë aksionet e GFI kishte qenë një mashtrim.
Adnan Polat nga ana tjetër deklaroi se për blerjen e kompanisë GFI kishte pasur miratim edhe nga kryeministri Rama.
Sinan Idrizi ka qenë gjithashtu pjesë e negociatave fillestare edhe për ndërtimin e Aeroprotit të Vlorës në 2017, një iniciativë që dështoi për shkak të ndërhyrjes së Komisionit Europian, i cili kërcënoi me nisjen e hetimeve për një aferë korruptive. /Zoom.al
Ola Xama: 52 mijë shtëpi në Tiranë janë bosh. Lejet e dhëna për ndërtim, krim ekonomik