zoom

Aktualitet

Dy çështjet për të cilat u arrestua Vangjush Dako

Ish -kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u arrestua pak më parë me urdhër të SPAK bashkë me disa ish -zyrtarë të tjerë.

Zoom.al mëson se dy janë çështjet për të cilat ai është nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme.

1. Çështja e parë ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një pallati 11 -katësh në qendër të Durrësit.
Bashkia e Durrësit, nën drejtimin e Dakos, nuk ka zbardhur lejen e ndërtimit, ndërsa ndërtuesi ka shtuar edhe 4 kate pa leje. Duke mos pasur lejen e zbardhur, autoritetet nuk kanë mundur të ndërhyjnë, pasi nuk kanë pasur dijeni se për sa kate ishte dhënë leja.

2. Çështja e dytë ka të bëjë me një kallëzim nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. KLSH e ka kallëzuar për një projekt të zbatuar nga Bashkia e Durrësit në zonën e Vollgës.
Sipas KLSH, në këtë projekt është abuzuar me paratë e buxhetit dhe i është shkaktuar shtetit një dëm prej 180 mijë eurosh.

Vangjush Dako është akuzuar për korrupsion dhe lidhje me grupet kriminale të Durrësit disa herë nga opozita. Ai ishte pjesë e dosjeve 399, në të cilën SPAK kishte zbuluar përfshirjen e disa grupeve kriminale në blerjen e votave në Durrës. Ai është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për përfshirje në korrupsion. /Zoom.al